E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e "Pay Tv", 5 në burg, 9 me arrest shtëpie

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 16 piratët televizivë që ndërhynin në platformat dixhitale, duke u shkaktuar këtyre të fundit miliona euro humbje. Gjykata la në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitjeje" njëmbëdhjetë prej të pandehurve, ku disa prej të cilëve u ndryshoi masa me kërkesë të prokurorëve, kurse mbetën në qeli me "arrest me burg" pesë të tjerë që akuzohen nga prokuroria e kryeqytetit për mashtrim kompjuterik. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dekodifikonin sinjalin e platformave "DigitAlb", paketës "SuperSport", "Sky" dhe "Nova" e më pas ua shisnin qytetarëve në mënyrë pirate. Të pandehurit u dërguan dje paradite në gjykatë, ku prokuroria kishte përpiluar kërkesat që do të paraqiste para togave të zeza. Përfaqësuesi i prokurorisë, Erion Pano, parashtroi para gjykatës të gjitha provat që rëndojnë ndaj të ndaluarve, duke i akuzuar për mashtrime kompjuterike në dëmet ë disa televizioneve dixhitale. Ai tha se ka përgjime dhe filmime të cilat vërtetojnë për ndërhyrje në sistem nga 16 personat e akuzuar. "Ekzistojnë të gjitha provat që të akuzuarit kanë konsumuar veprën penale të mashtrimit kompjuterik të bazuar në nenin 143/b të Kodit Penal. Për këtë ka prova dhe blerje të stimuluara nga agjentët e policisë", mësohet se kanë deklaruar përfaqësuesit e prokurorisë para gjykatës. Nga ana tjetër, të pandehurit janë mbrojtur se nuk ka asnjë ligj që t‘i pengojë, por janë kundërshtuar nga prokurori, i cili ka deklaruar se neni i sipërcituar flet qartë për shkeljen e ligjit. Neni 143/b i Kodit Penal përcakton qartë se: "Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t‘i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t‘i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet dhe me gjobë". Gjithashtu, në nen sanksionohet se po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe me gjobë deri në 5 milionë lekë të reja.
Hetuesit deklarojnë se kanë dokumentuar rreth 1000 raste të abuzimit me këtë skemë. "Janë rreth njëmijë raste të dokumentuara, deklaron akuza. Fillimisht, personat e ndaluar shisnin aparatin ‘Dream Box‘, që i mbanin në dyqanet e tyre. Më pas, në momentin që klientët vinin në punë këto aparate në shtëpi dhe e lidhnin me internetin, të arrestuarit kontaktonin me ta nëpërmjet numrit të telefonit dhe u tregonin procedurat për të hyrë në linjën e tyre. Më pas, u aktivizonin linjën‘, thanë prokurorët dje në sallën e gjyqit. Sipas tyre, në serverët e tyre kishin dy programe. "Njëri prej programeve funksiononte për përshtatjen e ‘Dream Box‘ me sinjalet e televizioneve, si "Digitalb", "Sky" etj., dhe një program tjetër përdorej për thyerjen e kodeve të kartave", thanë përfaqësuesit e organit të akuzës, duke shtuar se vetëm një server mbante rreth 50 klientë.
Prokurorët e çështjes Elio Mazreku dhe Erion Pano kanë dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të të ndaluarve, ndërsa kanë urdhëruar strukturat e policisë së Tiranës që të kryenin blerje të stimuluara për të zbardhur mekanizmin. "Grupi hetimor ka kontaktuar dhe blerë ‘Dream box‘ te të gjithë të akuzuarit dhe te disa persona të tjerë, që janë nën hetim. Për t‘u siguruar, agjentët civilë kanë shkuar te personat e dyshuar edhe 3-4 herë rresht‘, thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, për këtë proces, hetuesit shpjegojnë se në rrugë ligjore janë përdorur filmimet dhe përgjimet. "Janë 115 raste të dokumentuara ku vetë policia ka qenë blerëse. Gjithashtu, ‘Dream box‘-et, mund të sjellin probleme edhe për kontrabandë, pasi hyrja e tyre në Shqipëri nuk është regjistruar, pavarësisht se me ligj duhet paguar taksa", thanë burimet e prokurorisë. Sipas saj, janë gjetur në serverët e sekuestruar edhe listat e klientëve, të cilët kishin blerë këto pajisje. Madje, ka nisur puna për identifikimin dhe marrjen në pyetje të tyre për dokumentimin e plotë të veprës penale. s.çobo

Masat në gjykatë

Burg pa afat:
Saimir Kuniqi, 55 vjeç
Sokol Shalca, 48 vjeç
Spiro Zguri, 48 vjeç
Dhimitraq Papa, 55 vjeç
Marin Palushi, 36 vjeç

Arrest shtëpie:
Eldi Vorpsi, 23 vjeç
Sokol Kadare, 38 vjeç
Saimir Likollari, 31 vjeç
Artan Priftuli, 44 vjeç
Edison Shema, 32 vjeç
Eduart Koka, 42 vjeç
Ilir Dylja, 38 vjeç
Fatmir Çupi, 32 vjeç
Alfred Kadiu, 30 vjeç

Detyrim paraqitje:
Xhaferr Gixharrin, 23 vjeç
Ilir Nushi, 32 vjeç

"Neni 143/b
Mashtrimi kompjuterik
Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t‘i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t‘i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet dhe me gjobë nga 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë deri në 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›