Mediu: Kartat, ky proces na afron me BE-në
Zgjedhjet e 28 qershorit janë një test për Shqipërinë përpara sfidës për t‘u bërë pjesë e Bashkimit Evropian". Partia Republikane me këtë qëndrim ka vijuar takimet paraelektorale në rrethet e vendit. Nga Hasi, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, kërkoi nga qytetarët të shkojnë të aplikojnë për kartat e identitetit. "Unë ju bëj thirrje ju hasianëve dhe të gjithë shqiptarëve që të aplikoni për kartat e identitetit. Mbi të gjitha kjo gjë do të na bëjë ne përherë e më shumë qytetarë e bashkëqytetarë të vendeve të përparuara dhe atyre demokratike", tha ai. Ju duhet të jeni të sigurt, vijoi Mediu, se kartat e identitetit nuk janë ngushtësisht në shërbim të zgjedhjeve, por ne kështu do të njihemi botërisht si qytetarë shqiptarë të denjë.