E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Akuzat e Berishës për Metën

Deputeti socialist, Taulant Balla, rikujtoi dje akuzat e hershme të Kryeministrit Berisha në adresë të aleatit të tij, Ilir Meta si dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Azem Hajdari. Në një komunikim me mediat, Balla tha se Berisha dikur ka akuzuar Ilir Metën për trafik droge, fëmijësh dhe vajzash të mitura, por edhe për dy vrasje. Ndërsa për Azem Hajdarin përmendi të tjera thënie të Berishës dhe ironitë e tij kur Hajdari ishte në grevë urie.

"Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve", citoi Balla. Ndërsa në lidhje me Azem Hajdarin, Balla citoi Berishën të jetë shprehur: Vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë. Në kafenenë e Xhelës thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve dhe në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë, i armatosur, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i shtrydhur nga Çupi dhe Këndezi, i keqtrajtuar nga Kurt Kola, i rrethuar nga ish 80-lekëshat (dhe ata janë të shumtë), vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë. Ndërsa deputetja Olta Xhaçka iu përgjigj deklaratave të Metës dy ditë më parë në Elbasan. Ajo kërkoi shpjegime nga Kryeministri përse Shqipëria vijon të jetë vendi i fundit në rajon. Replikat vijuan edhe nga zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, që deklaroi se Meta po bën sot sikur i qan hallin shqiptarëve. "Prandaj Iliri i Sali Gërdecit bën mirë ta hajë atë përshesh pa e ngritur kokën për t‘u bërë moral të tjerëve, sepse sa herë flet pështjellon stomakun e popullit opozitar, duke na kujtuar ulërimat e tij ‘Sali ik‘, apo parullën e tij të famshme ‘Kush me Saliun do të hajë, kokën ulur gjithë jetën do mbajë‘", tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›