E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: PS të bëjë opozitë konstruktive si Dule

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, garantoi dje se 2010 do të jetë viti i liberalizimit të vizave. Ai ftoi socialistët që të ndjekin shembullin e Vangjel Dules, duke bërë një opozitë konstruktive brenda Parlamentit. Në kulmin e replikave mes palëve në një kohë kur tre vende të rajonit sapo kanë përfituar të drejtën të lëvizin në vendet e Bashkimit Europian pa viza, kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi se vendimi për lëvizjen e lirë pritet të merret në gjashtëmujorin e parë, ndërsa qeveria ka bërë hapa përpara në plotësimin e kushteve. Ministri i Jashtëm e konsideroi retorikë boshe qëndrimin e opozitës në lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se vendimi për tre vendet e rajonit ishte marrë qysh më parë, ndërsa Shqipëria sapo ka nisur pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. "Viti 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, pasi pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare", tha Meta. Ai shpjegoi se Shqipëria, në momentin kur u mor vendimi për këto vende, nuk kishte prodhuar asnjë pasaportë biometrike dhe pa pasaporta biometrike nuk mund të lëvizë askush në mënyrë të lirë në hapësirën ‘Shengen‘ të Bashkimit Europian. "Ju do të thoni po pse nuk kishte asnjë pasaportë biometrike? Atëherë, ju e dini shumë mirë se çështja kryesore para zgjedhjeve ishte te kartat e identitetit dhe gjithë vëmendja kryesore ishte te prodhimi i kartave të identitetit, si një element shumë i rëndësishëm për sigurinë e zgjedhjeve. Por të vazhdojmë me pyetje të tjera, atëherë mund të themi se përse këto kartat e identitetit nuk ishin bërë më parë dhe pse pasaportat nuk ishin bërë më parë, që Shqipëria të ishte në të njëjtin hap me tre vendet e tjera", vijoi ministri Meta. Nisur nga kjo, ai vlerësoi se opozita është krejtësisht e pasinqertë, sepse edhe vetë ajo në premtimet elektorale të zgjedhjeve e përmendte 2010-ën si vitin e liberalizimit të vizave. Ndër të tjera, Meta përmendi misionet vëzhguese që kanë mbërritur në Shqipëri dhe bashkëpunimi është konstruktiv ndërsa ftoi opozitën që të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi. Nga ana tjetër, numri dy i qeverisë shqiptare konfirmoi qëndrimin e qeverisë për të bërë dialog me opozitën, por sipas tij, opozita do të vijojë të krijojë destabilitet artificial, çka sipas tij do të dështojnë. "Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të ketë një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të japë për integrimin e vendit nuk është në rrugë, sepse është thënë më shumë sesa një herë nga BE, që bojkoti nuk është një normë europiane dhe që nuk e ndihmon integrimin europian", u shpreh Meta.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›