ILDKP kallëzon penalisht kryekomunarin e Udënishtit
Kryetari i Komunës Udënisht, Pogradec, Nexhmi Dokollari, kallëzohet penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për "mosdeklarimin e një pasurie me sipërfaqe 2193 m2 dhe me vlerë ndërtimi 45261327 lekë të reja", përfundim i cili rezultoi pas një hetimi të plotë administrativ, nga verifikimi në terren dhe ekspertiza e realizuar nga ekspertë vlerësues për pasuritë. Bazuar në procedurat e kontrollit të përcaktuara me ligj dhe mbi dyshime të publikuara në media mbi aktivitetin publik të subjektit, Dokollari, Inspektorati i Lartë ka nisur një hetim administrativ lidhur me vërtetësinë e vetëdeklarimit të zyrtarit. Pas korrespondencës me të gjitha institucionet, ku administrohen regjistra publikë, rezultoi se në deklaratat e interesave private në vite të ndryshme, subjekti me funksion kryetar komune nuk ka deklaruar: 1. Një sipërfaqe truall ndërtimi 600 m2 (përgjigje nga ZVRPP-Pogradec). 2. Aktivitet privat-person fizik për prodhimin inertesh (përgjigje nga QKR). Bazuar në këto të dhëna, Inspektorati i Lartë kërkoi sqarime nga subjekti Dokollari, i cili u shpreh se nuk i ka paraqitur në deklaratën e pasurisë, pasi në pronën në emër të tij, të përfituar në vitin 1992 nga ligji nr.7501, po ndërtohet një objekt 1-2-4 kate, me vlerë totale 8 milionë lekë të reja, "realizuar me të ardhurat e vëllait të tij, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash". Për këto veprime financiare me personin e tij familjar, nuk ka paraqitur në ILDKP asnjë provë që vërteton versionin e tij.
F.M.