Krishtlindje me inat
Për tri ditë, shqiptarë të të katër besimeve, në mos do të festojnë, të paktën do të kujtojnë Krishtlindjet. 2009 vjet më parë, zdrukthëtari Josif dhe e shoqja Maria, ndërsa ishin nisur të shkonin në Bethlehem për t‘u regjistruar në gjendjen civile romake, u bënë me djalë, i cili u pagëzua Jezus. Është ditëlindja që festohet më shumë në botë. Kjo është një festë e stërlashtë, e cila në fillimet e saj, kishte të bënte më shumë me përshpirtjen, me larjet e mëkateve dhe me të tjera gjëra që feja i kërkon një besimtari. Ka diçka më shumë se dy shekuj që kjo ditë, 25 dhjetori, edhe me nxitjen e tregtisë dhe marketingut që porsa kishte marrë jetë, u shndërrua në një festë të të qëndruarit më shumë bashkë me njerëzit e dashur, në familje, në shoqëri, në punë, kudo. Babagjyshi i Vitit të Ri, Shën Nikolla, Santa Klausi, Shën Kolli, vërjani emrin si të doni, ishte ai që kishte marrë përsipër të bënte një detyrë fisnike, të shpërndante dhurata anë e kënd në emër të dashurisë njerëzore. Dhurata këtë fundviti me siguri do të shpërndahen pa fund në mbarë Shqipërinë. Vetëm me siguri shumë vetë sivjet, sikur edhe në vitet paraardhës, do të pyesin: cila është dhurata që na ka dërguar sivjet politika jonë? Edhe për tri ditë gjërat mbase do të ndryshojnë. Mbase politika ia ka vënë gishtin kokës dhe më në fund i ka thënë vetes duke imituar një proverb të vjetër amerikan: Kombet dhe njerëzit veprojnë në mënyrë të arsyeshme vetëm kur kanë shterur të gjitha mundësitë e tjera. Nëse ndodh kështu, nëse ndokush prej të mëdhenjve vendos më në fund të sillet në mënyrë të arsyeshme, atëherë popullit shqiptar do t‘i bëhet më e madhja dhuratë që ndonjë popull ka marrë ndonjëherë për Krishtlindje.
Këto radhë janë shkruar me një dozë të madhe optimizmi, sepse deri në minutat që po shkruajmë dhurata që kemi marrë përbëhet nga një kanistër e mbushur me të shara e ofendime, me sy të vëngër, me mosbesim, me inate të vjetra dhe të reja, me thashetheme më të përsosura se sa ato të telenovelave më të shikuara, me thonj të mbërthyer pas pushtetit njësoj sikur këtë ta kishin pronë private që ua kishin lënë gjyshërit dikur, me nofulla të shtrënguara revolucionarësh të shekullit të shkuar, me maska të idealistëve ku fshihen thjesht arrivistët… dhe më në fund, njësoj si ylli mbi pemën e Vitit të Ri, me urrejtjen që rrezaton anekënd vendit. Sikur gjërat të mos ndryshojnë për tri ditë, kjo është dhurata që do të marrim sivjet.
Shporta e Vitit të Ri ka edhe më. Ka edhe ca "pelush" të vegjël lista e të cilëve u shpall para pak ditësh. Kongresi i partisë në pushtet - ose sikurse i thonë tani Kuvendi për t‘u ndarë me të shkuarën komuniste - na rrëfeu edhe një herë një gjë të frikshme për një demokraci. Partia që drejton vendin, me të drejtë a pa të drejtë kjo është punë që ha shumë diskutim, nuk ka debat të brendshëm. Asnjë prej zërave që kanë guxuar ndonjëherë të kritikojnë Kryeministrin nuk ndodhet sot në listat e krerëve të lartë të saj. Vetëm një kandidaturë, ajo e Berishës, ishte në "garë" për numrin një të partisë. Çfarë ka ndodhur me këtë parti? A kemi një parti ku rrihen mendime, flitet, diskutohet, debatohet, apo tashmë, përfundimisht kemi një "parti-njeri"? Gjithnjë e më tepër Berisha ka nisur t‘i ngjajë dirigjentit të një orkestre simfonike. Si të gjithë dirigjentët ai rri më shumë në këmbë. Vetëm kështu mund të shihet anekënd, si nga ata që ka përballë, nga partia-orkestër, ashtu edhe nga ata që ka mbrapa, të cilët jemi ne, publiku i gjerë. Të dirigjosh, në fakt do të thotë të shprehësh shenjën më të madhe të pushtetit që ke mbledhur rreth vetes. Ti je maestroja, ustai, mjeshtri. Ti je njeriu që i shndërron të gjitha ato hallka të ndërlikuara, instrumentet në rastin tonë, në një kor që luan avazin që ti vetë u ke vënë përpara. Për të drejtuar organizmin gjigant ku njerëzit nuk janë gjë tjetër veçse vegla të bindura, hartohen edhe letrat përkatëse, në rastin tonë këto quhen partitura. Çdo gjë, deri te shikimi dhe të kruarja e hundës, kontrollohet nga mjeshtri i madh. Ky e ndjen pushtetin që ka mbi supe dhe rrotullohet tërë sy e veshë rreth shkopit të dirigjentit, armë me të cilën i kanos vartësit e tij të bindur. Mjeshtri ka aq shumë fuqi sa që zgjon edhe zëra që nuk janë dëgjuar kurrë, instrumente të panjohur, të cilët pikërisht prandaj bien me më shumë hare. Një orkestër e dirigjuar nga një njeri i vetëm, kjo është PD-ja që doli nga kongresi i saj i fundit. Po atëherë për çfarë kujtohet e festohet 8 dhjetori? Vështirë të thuash se studentët e asaj kohe kishin parasysh një parti politike ku zëri ndryshe, pa le më kundër, të mos guxonte të bënte as gëk dhe as mëk pa urdhrin e dirigjentit. Vështirë të thuash se studentët e dhjetorit ‘90 donin një qeveri që mbledh të punësuarit e saj për të bërë mitingje elektorale. Përkundrazi, donin pikërisht të kundërtën. Ata donin një Shqipëri ku secili të kishte të drejtë të kishte mendjen e tij pa pasur frikë se do të lërë fëmijët pa bukë. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe kjo është një nga ato gjëra që politika na e ka futur sivjet në shportën e dhuratave të Krishtlindjeve. "Gëzuar Krishtlindjet 2010, takohemi në mitingjet e ardhshme, se pastaj hë, hë, hë… e dini vetë ju!", mos u çudisni kur të gjeni ndonjë kartolinë të tillë poshtë derës suaj.
Meqë, i konfirmuar dhe i stërkonfirmuar si maestro i vetëm i PD është vetëm një emër, Sali Berisha, atëherë duhet të presim prej tij dhe jo prej orkestrantëve, një dhuratë më tepër. Tashmë puna e protestës së opozitës së drejtuar nga Edi Rama për ato kuti të shkreta të votimit është bërë tërkuzë. Puna ha diskutim, meqë zëra kundër kësaj mënyre të protestuari janë dëgjuar edhe brenda vetë PS-së. Shumë herë protesta ka nisur të përsërisë veten, të bëhet monotone deri atje sa të mos përbëjë më lajm. Përfaqësues të lartë të BE-së i kanë kërkuar opozitës të kthehet në Parlament. Porse kjo kurrsesi nuk e zbeh rolin e njeriut-parti. Prej kohësh që nuk mbahen mend, është krijuar një zakon: më zemërgjerë tregohet ai që ka fituar ndaj atij që ka humbur. Kush është i bindur në fitoren e tij dhe në faktin që e meriton atë plotësisht nuk ka përse të ketë frikë nga hapja e disa kutive që po bëhen shkas për të bllokuar të ardhmen e krejt një populli. Pastaj edhe termi "fitore" është ca i diskutueshëm më thënë të drejtën, meqenëse kjo qeveri mbahet në këmbë vetëm falë bashkimit të votave me ata që kanë votuar kundër saj. Një arsye më shumë përse Berisha duhet të bëjë dhuratën më të madhe në këtë fundviti. Dhe bashkë me të duhet t‘u thotë shqiptarëve që nuk do të merret më me ish-gratë, me baballarët e vdekur, me biografira, por do të merret vetëm me idetë dhe veprimet e kundërshtarit që ka përballë. Nëse vepron kështu atëherë, me siguri, e gjithë politika do të na bëjë më në fund ndonjë dhuratë për të qenë për Krishtlindje. Në të kundërt dhurata që do të marrim do të jetë vetëm një shportë e vjetër, gjysmë e kalbur, e mbushur cip me inate të vjetra dhe të reja. Dhe këtë dhuratë me siguri nuk do ta pranojë askush, madje as vetë orkestrantët pas koncertit.