Gërdeci, Policia bllokon qarkullimin në qendër të Tiranës
Policia e Tiranës bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të protestave të sotme Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Përmes një komunikate për shtyp forcat e rendit bëjnë të ditur se nga gjatë gjithë ditës do të jetë e ndaluar parkimi në sheshet kryesore të kryeqytetit, ku janë planifikuar të zhvillohen protestat. “Policia e Qarkut Tiranë, bën të ditur se duke filluar nga ora 07.00 deri në orën 20.00 të ditës së nesërme, do të ndalohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skëndërbej”, sheshin “Nënë Tereza”, sheshin “Italia” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku janë parashikuar zhvillimet e protestave”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithashtu nga ora 16.00 deri në orën 20.00 të kësaj date, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Nënë Tereza” deri në Urën e Dajtit. Ndërsa po më këtë ditë nga ora 17.00 deri më 20.00, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza.