“Pronat, ligjin e ri do ta ankimojmë në Kushtetuese”
BLEDAR HOTI
Shoqata “Pronësi me Drejtësi” i bën thirrje kreut të shtetit, Bamir Topi që të mos e dekretojë ndryshimet e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Dy drejtuesit e kësaj shoqate Agim Toro dhe Myrshit Vorpsi i bëjnë apel publik Presidentit Topi, që ta kthejë mbrapsht ligjin e miratuar tre ditë më parë nga ana e Kuvendit. Në apelin e tyre publik drejtuar numrit një të shtetit shqiptar, pronarët shprehen se nuk mund të firmoset një ligj i tillë, që është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit. “Ligji i miratuar është një hap prapa dhe antikushtetues dhe në dëm të shtresës sonë”, deklaroi për “Panorama” sekretari i “Pronësi me Drejtësi”, Toro. Ndërsa nënkryetari i kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi, e cilëson ndryshimin ligjor “si vjedhjen e fundit që po bën qeveria aktuale në prag të zgjedhjeve parlamentare”. “Ligji ka një antikushtetutshmëri të theksuar. Është vjedhja e fundit që kjo qeveri kërkon t’i bëjë kësaj pasurie publike. Është shumë e turpshme që po vidhen 30 mijë hektarë, duke ia dhënë qiramarrësve, duke lënë me gisht në gojë pronarët”, deklaroi për “Panorama” Vorpsi. Ai shtoi se “ne i bëjmë thirrje publike kreut të shtetit të mos e firmosë mbi një ligj antikushtetues dhe antipronë”. “Nëse Presidenti Topi nuk e merr në konsideratë kërkesën tonë, atëherë ne natyrisht si hap të radhës do të kemi ankimimin në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Vorpsi. Ndryshimi i realizuar katër ditë më parë nga Kuvendi parashikon që në ato ndërmarrje që ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi bazën e qirasë mund të kenë të drejtën të blejnë truallin. Kjo edhe në rast se trualli i është njohur pronarëve legjitimë. “Subjektet e shpronësuara, në marrëveshje me shoqëritë tregtare të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni, mund të kompensohen me tokën që këto shoqëri vendosin të blejnë, duke pasur parasysh vlerën e tokës që ka prona e njohur e këtyre subjekteve, si dhe vlerën e tokës që ka në përdorim shoqëria”, thuhet në ndryshimin e miratuar.
Votimi
Republikanët dhe opozita në seancën e të enjtes së kaluar votuan kundër ndryshimit të ligjit “Për kthimin e kompensimit të pronës”. Me 61 vota pro, 21 kundër dhe 2 abstenime. Përveç republikanëve, votë kundër dha deputeti i djathtë, Spartak Ngjela, ndërsa dy votat abstenuese erdhën nga deputeti demokrat Besnik Mustafaj dhe Ndue Shpani i PDK-së. PR u shpreh se ligji bie ndesh me legjislacionin në fuqi, këto ndryshime janë klienteliste dhe se nuk është në interes të shtresës së pronarëve.