Balla: “Berisha-Meta, presion KQZ-së për të na hequr mandatin e 9-të në Fier”
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, se kanë bërë pakt në kurriz të mandateve të fituara nga kjo forcë politike në zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, tha dje se pazari i qeverisjes “Berisha-Meta” ka për synim vjedhjen e mandatit të nëntë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit. Sipas tij, Berisha dhe Meta po keqpërdorin politikisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkatërruar procesin zgjedhor dhe duke deformuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Balla përsëriti qëndrimin e selisë rozë, sipas të cilit, Partia Socialiste nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe Parlamentin e ardhshëm në rast se KQZ-ja nuk do të marrë parasysh ankimin e saj për mandatin e 9-të që ka fituar në qarkun e Fierit. “Unë jam sot këtu për të shprehur edhe njëherë qëndrimin tonë të palëkundur se pa mandatin e nëntë në Fier, pa transparencën e plotë të zgjedhjeve, ne nuk do të njohim zgjedhjet. Ne urojmë që maskarada e KQZ-së me mandatin e nëntë të Partisë Socialiste në Fier të mos mbyllet siç ka filluar, në të kundërt Partia Socialiste nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk do të njohim Parlamentin e dalë nga kjo maskaradë. Kështu, ne do të jemi të detyruar të zgjedhim rrugë alternative demokratike për rivendosjen e ligjshmërisë së zgjedhjeve. Ne denoncojmë keqpërdorimin e shumicës politike në KQZ, drejtimin dhe sjelljen arbitrare të kryetarit de jure të KQZ-së, që janë duke zbatuar me verbëri militante urdhrat e çiftit Berisha-Meta për shkatërrimin e procesit zgjedhor”, - tha Balla. Deputeti socialist denoncoi largimin nga puna të shumë mbështetësve të Partisë Socialiste, të cilët kanë kontribuuar për këtë forcë politike gjatë fushatës elektorale. “Falangat e Sali Berishës në çdo cep të Shqipërisë, në çdo qytet dhe fshat kanë filluar të zbatojnë urdhrin politik për hakmarrje ndaj qytetarëve që më datë 28 qershor mbështetën në shumicë dëshirën dhe vullnetin për të ndryshuar Shqipërinë”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
10 Korrik 2009