E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët: Fjalën e fundit, vetëm pas certifikimit të zgjedhjeve



Faktori ndërkombëtar do ta thotë fjalën e vet të fundit për vlerësimin e zgjedhjeve në Shqipëri vetëm pasi procesi zgjedhor të jetë i certifikuar përfundimisht, pas mbarimit të ankimeve që do të kenë forcat politike. Përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar deri sot nuk kanë dhënë asnjë vlerësim, pozitiv apo negativ, për mënyrën se si është zhvilluar procesi i numërimit të votave, apo ai i shpalljes së rezultateve. I vetmi reagim i ndërkombëtarëve ka pasur lidhje me vlerësimin deri diku pozitiv për ecurinë e procesit të votimit në Shqipëri më 28 qershor. Në konferencën e zhvilluar një ditë pas përfundimit të procesit të votimit, përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar vlerësuan pozitivisht zgjedhjet, por theksuan se ka ende shumë punë për të arritur standardet e kërkuara. I deleguari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Brus Xhorxh, adresoi kritika të ashpra për procesin, për standardet, deri te politizimet e tejskajshme të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën euroatlantike. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, deklaroi se vendi ka fituar pjekuri, ka përparuar dhe se është i gëzuar për progresin e shënuar. Ndërsa kryetarja e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Korien Jonker, deklaroi se këto zgjedhje treguan se populli shqiptar ka potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si vendet e tjera europiane, por ajo lëshoi kritika të ashpra për mediat, fushatën zgjedhore dhe partitë politike. Ndërkaq, zonja Glover, kryesuesja e misionit të ODIHR-it, ekspertja e njohur për çështjet zgjedhore, ka ripërsëritur shprehjen e saj: “Faktet flasin”, duke iu referuar të dhënave dhe problemeve të konstatuara. “ODIHR-i kësaj radhe ka ndryshuar skemën e vlerësimit, duke mos u bazuar te skema standarde, “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, por duke e krahasuar procesin zgjedhor me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, NATO-s, kritereve të Kopenhagenit etj”.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›