Kontestimet, të gjitha partitë ankohen për manipulime
Nëse të gjitha partitë kanë vlerësuar me nota pozitive procesin e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, krejt e kundërta ka ndodhur përsa i përket procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve. Pothuajse të gjitha partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit, kanë shprehur kontestime të forta në lidhje me numërimin e votave apo me shpalljen e rezultateve. Të gjithë kryetarët e partive janë bërë personazhe të telenovelës së akuzave dhe kontestimeve. Partia Socialiste ka qenë më shumë agresive në këtë drejtim. Ajo ka akuzuar Partinë Demokratike se i ka manipuluar votat dhe i ka grabitur të paktën 2 mandate padrejtësisht. Por kontestime ka shprehur edhe Partia Demokratike, e cila ka denoncuar se në zona të caktuara, përfaqësuesit e Partisë Socialiste jo vetëm që kanë tentuar të bllokojnë procesin, por dhe kanë deformuar rezultatin me anë të manipulimeve. Shumë agresive ka qenë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka bërë akuza të forta në drejtim të Partisë Socialiste. Si PS-ja, ashtu edhe LSI-ja kanë deklaruar se po dokumentojnë këto manipulime për t’ia paraqitur faktorit ndërkombëtar. Sipas përfaqësuesve të LSI-së, Partia Socialiste i ka grabitur kësaj force politike më shumë se 50 mijë vota në të gjithë vendin. Edhe përfaqësuesit e Polit të Lirisë kanë bërë akuza në drejtim të dy partive të mëdha, PS dhe PD. Kjo forcë politike ka denoncuar mbushjen e kutive të votimit në mënyrë artificiale, me vota që ndaheshin 50% me 50% midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Interesant është fakti se ka pasur akuza në drejtim të dy partive të mëdha edhe nga partitë e tyre të vogla aleate. PBDNJ, PDS, PSD dhe Partia G99 kanë ngarkuar me përgjegjësi Partinë Socialiste për mosruajtjen e votave të tyre. Zëra akuzues për Partinë Demokratike ka pasur edhe nga partitë aleate që garonin në të njëjtin koalicion.
10 Korrik 2009