E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, autobusi aksidenton 45 vjeçaren

Aksidentet automobilistike janë kthyer në një frikë të vërtetë në aksin nacional Korçë-Pogradec. Një autobus ka shtypur një grua, e cila ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital, teksa drejtuesi i mjetit ka përfunduar në pranga. Ngjara ka ndodhur rreth orës 11:00 të  paradites së djeshme, në afërsi të fshatit Çëravë në rrethin e Pogradecit, pak kilometra larg qytetit liqenor. Autobusi me targë të kryeqytetit TR 8131 K, i cili udhëtonte nga Greqia drejt Tiranës ishte duke ecur me shpejtësi, duke mos evituar një kalimtare 45- vjeçare, e cila i ka dalë mjetit  në mënyrë të beftë përpara. Duke iu referuar të dhënave të policisë, mësohet se Fatmira Muçllari, 45 vjeçe, banore në fshatin Çëravë po në rrethin e Pogradecit është e plagosura e këtij aksidenti automobilistik, e cila ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë. Drejtuesi i mjetit, Fatos Selenica, nga Korça është arrestuar në kushtet e flagrancës nga policia, nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas të njëjtave burime, mësohet se Selenica ka qenë duke ecur me shpejtësi, ndërsa kalimtarja që sapo kishte dalë nga rruga e fshatit ku ajo banon, ka ecur me shpejtësi për t u hedhur në anën tjetër të rrugës. Pas transportit të saj në spitalin e Pogradecit, gruaja, nënë e dy fëmijëve ka përfunduar në koma, ndërsa është transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës për një mjekim më të specializuar. Aksidentet në këtë aks që është në rikonstruksion prej më shumë se një viti kanë qenë të shumta, ndërsa bilanci i viktimave i ka kaluar të 5 personat, kurse numri i të plagosurve sipas statistikave zyrtare në vetëm një vit është 17 të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›