Balla: Berisha dhe familja e tij po na bëjnë qesharakë
Socialistët ju rikthyen dje çështjes së shkatërrimeve në Jalë dhe zbatimit të keq të projektit të Bankës Botërore. Deputeti Taulant Balla konstatoi se vetëm 2 ditë pas kthimit në Shqipëri të Sali Berishës, një ndër mediat më të ndjekura të Shteteve të Bashkuara Amerikës, "Fox News", i hapi lajmet e veta me një rast tjetër korrupsioni ndërkombëtar në qendër të të cilit është pikërisht Sali Berisha dhe familjarët e tij. "Emri i Sali Berishës dhe i dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, u denoncuan në lajmin e Fox News-it, si dy persona përgjegjës për keqpërdorimin e 39 milionë dollarëve të Bankës Botërore", tha Balla. Sipas tij, një ndër televizionet më të ndjekura informative amerikane, hedh dyshime mbi arsyet përse bordi i drejtorëve dhe paneli i investigimit është keqinformuar dhe penguar në hetimin dhe identifikimin e atyre personave që kanë përfituar në Shqipëri. "Por Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha vendosën të shembnin shtëpitë e banorëve të Jalës, sepse toka e tyre i duhej familjes së Sali Berishës", theksoi Balla. Teksa këmbënguli se nuk është hera e parë që mediat më prestigjioze amerikane shkruajnë për superkorrupsionin dhe vjedhjet e Sali Berishës. Balla konstatoi se Jala është vetëm maja e ajsbergut, këto ditë Sali Berisha po shet edhe 2.4 milionë metra katrorë tokë edhe në gjirin e Lalëzit.