"Përmes ndryshimit do prekim ëndrrën shqiptare"
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në vazhdën e takimeve me rrjetin e vullnetarëve, vizitoi dje qytetin e Rrogozhinës. Deklaroi se ëndrra e shqiptarëve për një Shqipëri evropiane nuk është realizuar edhe tani, pas 18 vjetësh. Por kjo ëndërr, vijoi ai, është një aspiratë e gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos e të rinjve, të cilët besojnë se kjo ëndërr mund të bëhet realitet, që nuk kanë frikë të besojnë se nëpërmjet ndryshimit ky vizion historik do të jetë i prekshëm për të gjithë. "18 vjet më parë plot ndër ju ishin bebe. Të tjerë që ishin fëmijë sot janë prindër. Ëndrra e ndaluar e Shqipërisë si gjithë Evropa nxori në rrugë shumicën e papushtetshme dhe ndryshoi rrjedhën e historisë. Gjërat nuk shkuan siç i parafytyruam atëherë", nënvizoi Rama. Sot, shtoi ai, 18 vjet më vonë e njëjta ëndërr kërkon përsëri shumicën e papushtetshme për t‘u bërë realitet. "Shqipëria Evropiane është një ëndërr e vjetër shqiptare. Është vizioni i hershëm i mendjendriturve të këtij vendi që u përcillet gjeneratave. Është e ardhmja e sakrifikuar në udhëkryqe e kthesa të zymta historike", u shpreh Rama. Në vlerësimin e kreut të socialistëve, Shqipëria si gjithë Evropa është amaneti që kemi në dorën tonë dhe të gjithë ne këtu do ta çojmë në vend këtë amanet. "Do t‘i hapim rrugën ëndrrës së marrë peng nga politika e vjetër e interesave dhe kulisave bizantine; do t‘i hapim rrugë ëndrrës së marrë peng nga politika e vjetër e pabarazisë që varfëron të papushtetshmit dhe mbingop pushtetarët", nënvizoi Rama. Lideri i opozitës falënderoi të pranishmit për faktin se nuk kanë frikë të besojnë sot kur besimi ka hyrë në krizën e vet më të thellë bashkë me Shqipërinë e tradhtuar të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura. "Ju nuk keni frikë të besoni sot se ëndrra e Shqipërisë se gjithë Evropa është e mundur, se ky vend mund të bëhet si të tjerët, se këtu, në këtë vend, mund të bëhen të mundura ato që prej 18 vjetësh politika e politikanëve na i ka bërë të pamundura", u shpreh Rama. Nuk keni frikë të besoni, tha ai, se një horizont i ri shprese mund të hapet për secilin prej jush, këtu, në atdheun tonë të gënjyer e zhgënjyer për 18 vjet me radhë nga ata që, me flamuj të ndryshëm dhe gjuhë të ngjashme ju kanë marrë votën për të shërbyer e kanë qeverisur për të rrëmbyer. Kreu socialist këmbënguli se vetëdija për fuqinë e ndryshimit që mund të gjenerojmë përmes një bashkimi të ri në këtë udhëkryq historik ku vendoset fati i gjeneratës së re, bindja se Shqipëria nuk mund të humbasë edhe 4 vjet të tjera duke mbetur në të njëjtat duar të paafta, të papërgjegjshme e të korruptuara, do t‘i japin shumicës së papushtetshme forcën për t‘i dhënë pushtet ëndrrës së saj të parealizuar.