E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, strategjia për të marrë votat e ish të përndjekurve

Kur kanë mbetur vetëm pesë muaj nga afrimi i datës së zgjedhjeve, mazhoranca është kujtuar për shtresën e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka depozituar në Kuvend një nismë ligjore, ku kërkon ndryshimin e tri neneve të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Tashmë të gjithë ata persona që plotësojnë kriteret si të dënuar politikë, deri më 01.07.2009 duhet të plotësojnë dokumentacionin e duhur për të përfituar dëmshpërblimin financiar. Mazhoranca kërkon heqjen e afatit të përcaktuar në këtë ligj, që dokumentacioni mund të paraqitej brenda vitit nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Neni i ri i propozuar nga kryetari i grupit parlamentar për miratim në Kuvend është "brenda datës 01.07.2009, ish të dënuarit politik, drejtpërdrejt, apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin ‘A‘, që i bashkëlidhet këtij ligji". Ndërsa pika dy e nenit 19 riformulohet si më poshtë: "Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të pikës 1, pra deri më 1 korrik 2009, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish të dënuarin politik, apo familjarin e viktimës me dënim kapital. Sipas këtij ligji, ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor, apo familjari i viktimës së pushkatuar, nuk mund të rivendosen në afat për paraqitjen e kërkesës, kur ka kaluar mbi 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji". Gjithashtu, mazhoranca propozon edhe një ndryshim tjetër në këtë ligj dhe konkretisht në nenin 8 të tij. Tashmë të drejtën e dëmshpërblimit për vitet e burgut e përfitojnë përveç paraardhësve, bashkëshortes dhe pasardhësve edhe familjarë të tjerë, motra, vëllezër, si dhe fëmijët e këtyre vëllezërve e motrave. Kjo, sipas mazhorancës, bëhet pasi ka pasur persona, të cilët kanë vdekur në burg, apo janë dënuar, por që nuk kanë mundur të kenë një familje të tyre. Për këtë arsye, PD-ja ka kërkuar që neni 8 të riformulohet. Varianti i propozuar nga mazhoranca është: 1. Në kuptim të këtij ligji me familjarët nënkuptohet, pavarësisht nga rregullime të tjera ligjore, paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit. 2. Në kuptim të këtij neni për persona që kanë familje sipas përcaktimeve të pikës së parë të këtij neni, familjarë do të konsiderohen edhe vëllezërit e motrat e tyre, si dhe fëmijët e këtyre vëllezërve e motrave. 3. Familjarët në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. Kjo nismë ligjore i është paraqitur Kuvendit dhe aktualisht ndodhet në tryezën e punës së Komisionit të Ligjeve, ku pritet të merret në shqyrtim nga deputetët për t‘ia kaluar më pas për miratim Kuvendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›