KQZ, afatet e zgjedhjeve të 28 qershorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë ditën e premte projektvendimin "Për miratimin e Planit Orientues të Veprimeve të KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009". Thënë ndryshe, ky dokument përbën afatet mbi të cilat do të përgatitet infrastruktura zgjedhore. Deri në datën 28 shkurt, KQZ duhet të marrë rreth 20 vendime të rëndësishme si; ai për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, caktimi i masës së shpërblimit të anëtarëve të KZAZ-ve, GN-ve dhe KQV-ve; miratimi i strukturës organike të përkohshme të KQZ-së. Brenda këtij intervali duhet të ngrihen zyrat rajonale zgjedhore, të miratohet struktura buxhetore për zgjedhjet 2009; modeli i kërkesës ankimore; caktimi i partive që propozojnë anëtarë të KZAZ etj. 100 ditë parë zgjedhjeve duhet të përfundojë trajnimi i trajnuesve të KZAZ-ve. Ndërsa tre muaj para ditës së zgjedhjeve, brenda 28 marsit duhet të shpallet në internet lista paraprake e përfundimtare e zgjedhësve. Në intervalin 13-28 mars do duhet të nxirret vendimi për emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve. Sakaq, në intervalin 28 mars - 1 prill duhet të merret vendimi për emërimin e kryetarit dhe zv.kryetarit të KZAZ-ve. Brenda 28 marsit duhet të kalojë vendimi për administrimin e procesit të regjistrimit me kamera dhe afishimit në ekran të procesit të numërimit të votave. Po në këtë periudhë do të kryhet edhe trajnimi i parë i anëtarëve të KZAZ-ve. Brenda 28 prillit parashikohet që të mund të merret vendimi për ngritjen e grupeve të numërimit të votave, për miratimin e modelit të fletës së votimit. Plani orientues i vendimeve të KQZ-së për zgjedhjet e Kuvendit 2009 parashikon që brenda 18 prillit duhet të bëhet regjistrimi i partive politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Dy muaj para datës së zgjedhjeve duhet të hiqen nga lista e zgjedhësve të vendbanimit të zgjedhësve në forcat e armatosura dhe Policisë së Shtetit që do ndodhen në repart ditën e zgjedhjeve. Pesë ditë pas regjistrimit të listave shumëemërore në KQZ duhet të bëhet gati vendimi për shpërndarjen e fondeve publike subjekteve zgjedhore, mbi bazë të rezultateve të zgjedhjeve pararendëse. Afati maksimal për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore është në datën 13 maj. 20 ditë para datës së zgjedhjeve duhet të bëhet trajnimi i fundit për anëtarët e KZAZ-ve teksa trajnimi i anëtarëve të KQV-ve bëhet 15 ditë para zgjedhjeve. Tri ditë pas përfundimit të ankimimit për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore merret vendimi për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore subjekteve përkatëse. Pesë ditë pas shpalljes së shpërndarjes së mandateve të subjekteve për çdo zonë zgjedhore merret vendimi për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në muajin shtator parashikohet të merret vendimi për publikimin e raporteve financiare të partive politike për shpenzimet e fushatës zgjedhore. Veprimet që duhet të ndërmarrë KQZ, burojnë nga dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe janë një aplikim i tyre në praktikë. Miratimi i këtij plani veprimesh përbën një dokument bazë për nisjen e veprimtarisë së KQZ-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 29 të Kodit Zgjedhor. Detajimi i veprimeve konkrete, si dhe i afateve kohore brenda të cilave këto veprime duhet të ndërmerren është bërë duke iu referuar përcaktimeve të bëra në Kodin zgjedhor, si dhe duke pasur parasysh datën e zhvillimit të zgjedhjeve, 28 qershor 2009.
Teliti
"Regjistri gati, çështje orësh"
Listat e shtetasve shqiptarë pa dublikime janë gati për çështje orësh. Ky është premtimi i bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Në një prononcim të shkurtër për "Shqip", ai pranoi dje se tanimë një proces i tillë mund të cilësohet i mbyllur. "Jemi në fazën e fundit dhe mund të them se gjithçka ka shkuar mirë drejt hartimit të një regjistri krejt të pastër nga parregullsitë dhe publikimet", u shpreh Teliti. Sipas tij, vonesat tanimë kanë të bëjnë me orë të numëruara deri në momentin kur do dorëzohet materiali në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një moment të tillë mësohet se do të organizohet edhe një komunikim me median nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Teliti
"Regjistri gati, çështje orësh"
Listat e shtetasve shqiptarë pa dublikime janë gati për çështje orësh. Ky është premtimi i bërë nga drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti. Në një prononcim të shkurtër për "Shqip", ai pranoi dje se tanimë një proces i tillë mund të cilësohet i mbyllur. "Jemi në fazën e fundit dhe mund të them se gjithçka ka shkuar mirë drejt hartimit të një regjistri krejt të pastër nga parregullsitë dhe publikimet", u shpreh Teliti. Sipas tij, vonesat tanimë kanë të bëjnë me orë të numëruara deri në momentin kur do dorëzohet materiali në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një moment të tillë mësohet se do të organizohet edhe një komunikim me median nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.