Balla: Berisha gënjen për liberalizimin e vizave
Socialistët akuzuan dje Kryeministrin, se u mundua të gënjente shqiptarët, por edhe ministrin e Jashtëm italian, me një model të pasaportës së re biometrike. Deputeti Taulant Balla tha se duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, Berisha gënjeu duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati. "Janë dy elemente shumë të rëndësishme, qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri", u shpreh Balla. Ai i mëshoi faktit se asnjë shqiptar nuk ka marrë në dorë pasaportën e re dhe kartën e identitetit. "Ne, të gjithë shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, nuk kemi nevojë të shohim projektet, është koha të shohim rezultatet", tha Balla. Teksa shtoi se nuk mund të gënjehen shqiptarët pas kaq vitesh zhgënjimi dhe pritjeje me deklarata boshe dhe mashtrime. "Shqiptarët po vazhdojnë të vuajnë murin e vizave, sepse kjo qeveri nuk ka as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm", nënvizoi deputeti Balla. Sipas tij, siguria e dokumenteve, lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe kriminalitetit të organizuar, ruajtja dhe menaxhimi i kufijve, si dhe çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e personave ende nuk ka rezultate të dukshme.