"Çmimi Evropian i Arkitekturës 2008", për rehabilitimin e Lanës
Fondacioni i Arkitekturës "Philippe Rothier" në Bruksel i ka akorduar Bashkisë së Tiranës, Çmimin e Nderit në konkursin ndërkombëtar "Çmimi Evropian i Arkitekturës 2008". Në garën e zhvilluar, kanë marrë pjesë 88 qytete evropiane, përfaqësuesit e të cilave kanë ekspozuar projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare të përbërë nga arkitektë, urbanistë, historianë arti e gazetarë të njohur. Tirana u përfaqësua në këtë aktivitet prestigjioz, me një nga arritjet më të rëndësishme në lëmin e punëve publike, rehabilitimi i shtratit të Lanës, një ndërrmarrje e guximshme dhe e suksesshme, që i solli kryeqytetit shqiptar një frymëmarrje mjedisore, por duke ruajtur njëkohësisht vlerat e patjetërsueshme të origjinës. Ishin pikërisht këto arsyet të cilat bënë që juria të vlerësojë stafin e Bashkisë së Tiranës me "Çmimin e Nderit", duke e cilësuar rehabilitimin e Lanës si një "operacion të shkëlqyer urban dhe publik". "Çmimi Evropian i Arkitekturës", fillimet e tij i ka në vitin 1982, periudhë kjo e ngarkuar me projekte bashkëkohore, të cilat ndoqën kryesisht vazhdimësinë e traditës evropiane të konceptimit të qyteteve. Sesioni i këtij viti, çmoi në mënyrë të veçantë ato projekte, të cilat respektojnë jo vetëm parimet urbane, por edhe rregullat e zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve. Një kompeticion i këtyre përmasave, ka gjithashtu si qëllim të mbështesë dhe të vlerësojë procesin e kthimit dhe rikuperimit të hapësirave urbane në Evropë, duke kontribuar në të njëjtën kohë me rritjen e impaktit social në komunitet, si dhe në procesin e ndërtimit të shoqërive demokratike. Ndër qytetet e tjera, të cilat kanë marrë çmim në këtë konkurs ishin Dresden në Gjermani, Palermo dhe Alessandria në Itali, Sudsvall në Suedi dhe Bruksel në Belgjikë. Më tej një ekspozitë shëtitëse e organizuar nga Fondacioni i Arkitekturës "Philippe Rothier", do të promovojë projektet fituese, të përzgjedhura nga Juria Ndërkombëtare. "Vizioni për Evropën" do të përcillet edhe në "Trienalen e pestë" që do të zhvillohet në Bolonja të Italisë, me pjesëmarrjen e projekteve të këtij edicioni.