E Diel, 1 Nëntor 2026

Me patenta shqiptare edhe në Itali

Në Itali mund të drejtosh një automjet edhe me patentë shqiptare, duke lënë pas kohën e përpjekjeve për t‘u pajisur me një leje ndërkombëtare. Lehtësira nga marrëveshja e nënshkruar midis palës shqiptare dhe asaj italiane për patentat pritet të kenë sidomos emigrantët tanë në vendin fqinj. Ndërkohë që konfirmohet fakti se të njëjtat procedura do të nisin edhe me shtetin grek. Gjithashtu

qeveria shqiptare ka aplikuar në organet kompetente komunitare për njohjen në nivel komunitar të lejes shqiptare të drejtimit.

Ka qenë ministri i MPPTT, Sokol Olldashi, dhe ambasadori italian Saba D‘Elia, që kanë vënë firmën mbi "Marrëveshjen për njohjen reciproke dhe konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve". Marrëveshja u nënshkrua në prani të ministrit të Jashtëm italian, Franco Fratini, dy ditë më parë. Sipas të dyja palëve nënshkruese, marrëveshja do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për komunitetin shqiptar në Itali, si dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët shkojnë për qëndrim provizor në Itali. "Njohja reciproke e patentave nënkupton mospërdorimin e mëtejshëm të patentave ndërkombëtare, duke kursyer në këtë mënyrë kohën dhe shpenzimin, që bëhet për përfitimin e kësaj patente, e cila përdoret për shtetasit që janë jashtë KE-së", konfirmon Kujtim Hashorva, drejtor i Politikave të Transportit Rrugor në Ministrinë e Transportit. Ai sqaron se numri i përdoruesve të kësaj patente që shkojnë në Itali për vitin 2007 ka qenë mesatarisht rreth 26 mijë. Ndërsa për vitin 2008, ky numër ka qenë rreth 16 mijë. Drejtori Hashorva është shprehur më tej se "për shqiptarët rezidentë, ose për ata që shkojnë për studime apo qëndrime të gjata në Itali, në bazë të marrëveshjes, u njihet e drejta të përdorin për njw vit patentën shqiptare dhe, pas një viti, ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht me patentën italiane". Një gjë e tillë është reciproke edhe për shtetasit italianë në vendin tonë. Lehtësira do të ketë sidomos në konvertimin e patentave, pasi nuk do të duhet frekuentimi i kurseve italiane për drejtim automjeti.

Kështu, zyrtari i MPPTT-së sqaron se shqiptarët, të cilët prej kohësh nuk kanë mundur të marrin patentën italiane dhe kanë patentën shqiptare, si dhe që kanë qëndrim më tepër se tre vjet në Itali, e drejta e konvertimit iu njihet pa kryer kurset e autoshkollave, por duke dhënë një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit. Njëkohësisht marrëveshja parashikon shumë procedura lehtësuese, për sa i përket marrjes së dokumenteve të vërtetësisë. Përmes saj do të eliminohen endjet dhe shpenzimet suplementare në zyrat konsullore, por dokumentet do të tërhiqen drejtpërdrejt nga zyrat e Motorizacionit Civil.

Marrëveshja lidhur me njohjen reciproke apo konvertimin e lejedrejtimit shqiptare me atë italiane, ka një seri anësh pozitive, thotë drejtori Hashorva. Ai ka shtuar se të gjithë drejtuesit e automjeteve, profesionistë shqiptarw, të cilët janë në emigracion në Itali, (që disponojnë kategoritë B, C, D, D+E), do të përfitojnë në kohë, pasi marrja e të gjitha kategorive të lejes italiane të drejtimit, bazuar në legjislacionin e këtij vendi, kërkon plotësimin e intervaleve kohore nga një kategori në tjetrën, kohë e cila është 2-3 vjet. Njohja dhe konvertimi i lejes shqiptare të drejtimit me atë italiane, duke ditur që Italia është vend anëtar i rëndësishëm në BE, do të na krijojë mundësinë që të bëhet njohja dhe konvertimi i patentave me të gjitha vendet e tjera të BE-së. "Në mbledhjen e komisionit greko-shqiptar u vendos që të fillojnë të njëjtat procedura edhe me Greqinë", thekson drejtori i Politikave të Transportit Rrugor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›