E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Vendet e Ballkanit të heqin vizat

Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, propozoi liberalizimin e vizave mes vendeve të rajonit. Deklarata e kryediplomatit shqiptar është bërë në ditën e dytë të punimeve të konferencës së ambasadorëve që po zhvillohet në Tiranë. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u kërkoi homologëve diplomatë të vendeve të rajonit të punojnë për liberalizimin e vizave mes këtyre vendeve. "Krijimi i një zone të lirë tregtare për Evropën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë dhe nuk mund të jetë funksional pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon", tha shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm shqiptar e cilësoi paradoksale faktin që dialogu për liberalizimin e vizave me BE-në avancon, ndërkohë që një veprim i tillë nuk është arritur ende mes vendeve të Evropës Juglindore. "Është paradoksale dhe e pashpjegueshme që ndërkohë që avancojmë me dialogun e liberalizimit të vizave me BE-në ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos në sezonin turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga Sllovenia deri në pikën më të largët me Finlandën", theksoi shefi i diplomacisë shqiptare. Heqja sa më parë e vizave dhe e kontrolleve kufitare të panevojshme, tha Basha, çliron energjitë e sipërmarrjes, ul kostot për individët dhe ndërmarrjet, rrit kontaktet njerëzore, shton aktivitetet reciproke, i shërben mobilitetit turistik dhe favorizon njohjen me njëri-tjetrin. Ministri i Jashtëm shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në negociata me të gjitha vendet e rajonit dhe të përfundojë marrëveshjet e lëvizjes së lirë, siç u bë këtë vit me Maqedoninë, duke /////shengenizuar sa më parë rajonin tonë. Konferenca e ambasadorëve nisi punimet të hënën dhe do të zhvillohet deri më 31 tetor. Punimet e saj u përshëndetën dy ditë më parë nga ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›