E Diel, 1 Nëntor 2026

Minarolli: Arsyet pse Greqia vonoi MSA dhe protokollin e NATO-s

Ambasadori shqiptar në Greqi, Vili Minarolli, ka theksuar në një intervistë për "Shqip" arsyet pse po vonohet Greqia për të firmosur MSA-në dhe NATO-n. "Ndoshta vonesat në këtë drejtim kanë ardhur për arsye teknike, që kanë lidhen me çështje të përkthimeve. Por pse të mos ta themi, kanë qenë edhe çështje të brendshme të politikës së tyre", tha ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli. Kryediplomati shqiptar në vendin fqinj pohon se Greqia e mbështeti publikisht dhe zyrtarisht Shqipërinë më 3 prill të 2008-ës, në Samitin e Bukureshtit pa ndonjë hezitim, ku, sipas tij, disa shtete pak a shumë kishin ca hezitime të vogla.

"MSA është në Parlament, pritet të miratohet dhe të ratifikohet këtë javë. Nuk ka asnjë problem që Greqia të pengojë integrimin e vendit tonë në strukturat atlantike dhe të rrezikojë integrimin e saj", shprehet Minarolli, duke theksuar se "do ta kemi firmën, ratifikimin dhe mirëkuptimin e Greqisë pa asnjë dyshim".

Zoti Minarolli, Kryeministri Berisha kërkoi që ambasadorët të jenë një Task Forcë për Shqipërinë. Konkretisht, cilat janë sfidat e diplomacisë shqiptare në vendin fqinj, Greqi?

Sfidat e diplomacisë shqiptare janë në përputhje edhe me detyrën që vuri re Kryeministri Berisha për zhvillimin e përfaqësisë ekonomike gjatë konferencës së ambasadorëve një ditë më parë. Ne kemi një komunitet që ka 1 milion anëtarë. Jemi organizuar në shoqatën tonë kulturore në një bashkëjetesë shumë harmonike me popullin grek. Një komunitet, i cili me karakteristikën e shqiptarit për të mbijetuar dhe për të gjetur rrugët me vështirësi tashmë i ka kaluar këto sfida. Shqipëria dhe shqiptarët që jetojnë në Greqi janë bërë një faktor ekonomik social dhe e them pa frikë se shqiptarët janë bërë edhe faktorë politikë tashmë në politikën greke. Me pjesëmarrjen e tyre në forcat politike greke, mund të themi se komuniteti shqiptar ka hyrë edhe në politikë, jo vetëm në sipërmarrjet e mëdha.

Thuhet zyrtarisht që është një komunitet, i cili ka një numër të konsiderueshëm biznesmenësh, por unë them se ky numër është shumë herë më i lartë nga ai që deklarohet. Sot shqiptarët janë sipërmarrës në Greqi në të gjitha fushat. Ata nuk janë vetëm në sipërmarrjet e ndërtimit, që është ekzkluzivitet i shqiptarëve, ku ia kanë dalë mbarë dhe e kanë ndërtuar Greqinë. Të krahasojmë Greqinë që gjetëm në 1991-1995 dhe sot; mburremi që këtë e kemi ndërtuar ne dhe bravo u qoftë se ata kanë marrë edhe miratimin e qeverisë e popullit grek.

Në Greqi ndodhet edhe komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë. Çfarë po bën diplomacia jonë përballë politikave të Athinës zyrtare për të lehtësuar dokumentet dhe marrjen e vizave?

Mund të themi se Greqia ishte një vend që para vitit 1990 eksportonte emigrantë. Emigracioni grek është i përhapur në të gjithë botën dhe kështu që ata ishin të papërgatitur për sa i përket legjislacionit. Dyndja e emigrantëve e gjeti Greqinë të papërgatitur dhe të parët ishin ata që erdhën nga Shqipëria. Legjislacioni grek ka pësuar ndryshime të ndjeshme gjatë këtyre viteve të fundit në lidhje me emigracionin. Atë që dua të them është që sot shqiptarët e ndiejnë veten sikur janë në shtëpitë e tyre dhe është fakt. Sigurisht që ka edhe problemet e saj politika greke, sepse Greqia nuk ka aq banorë sa ka Italia. Greqia ka 10 milionë banorë, ndërsa Italia ka 80 milionë. Nga këto 10 milionë, një milion e gjysmë janë emigrantë, prej të cilëve vetëm 1 milion janë shqiptarë. Kështu që 1/10 janë shqiptarë. Kjo shifër është më tepër e rastësishme. Kudo shqiptarët janë shpërndarë duke zënë 1/10 e popullsisë ku ndodhen në të gjitha vendet e botës. Në këtë drejtim, mirëkuptoj që legjislacioni grek ka ecur në hapa më të ngadalshëm nga vendet e tjera.

Greqia ka në dorë fatin e Shqipërisë për MSA-në dhe miratimin e protokollit të NATO-s. A mund ta shikojmë ne Athinën si një pengesë për integrimin e vendit tonë?

Greqia ka qenë në rresht si një nga vendet strategjike për integrimin tonë në strukturën Atlantike dhe Bashkimin Evropian. Ndoshta vonesat në këtë drejtim kanë ardhur për arsye teknike, që kanë lidhje me çështje të përkthimeve. Por pse të mos ta themi, kanë qenë edhe çështje të brendshme të politikës së tyre. MSA është në Parlament, pritet të miratohet dhe të ratifikohet këtë javë. Nuk ka asnjë problem që Greqia të pengojë integrimin e vendit tonë në strukturat atlantike dhe të rrezikojë integrimin e saj. Pati një vonesë teknike, për shkak të ndërrimit të dy ministrave në kabinet, që duhet të ndryshonin. Greqia e mbështeti publikisht dhe zyrtarisht Shqipërinë më 3 prill të 2008-ës në Samitin e Bukureshtit pa ndonjë hezitim, ku disa shtete pak a shumë kishin ca vërejtje të vogla. Në këto drejtime po ecim përpara.

Sa kohë i duhet Greqisë që të firmosë për Shqipërinë në NATO?

Ky është problemi i tyre. Unë di këtë që Greqia është anëtar i Bashkimit Evropian dhe anëtar i Aleancës Euroatlantike dhe për këtë ajo do të jetë bashkë me vendet e tjera. Do ta kemi firmën, ratifikimin dhe mirëkuptimin pa asnjë dyshim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›