Balla: “Berisha mashtroi Fratinin për pasaportat biometrike”
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, e akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ka mashtruar shqiptarët, por edhe vetë ministrin e Jashtëm italian, Franko Fratini, teksa deklaroi se shpërndarja e pasaportave biometrike tashmë është gati. Balla tha se ndryshe nga sa deklaroi Berisha, asnjë shqiptar nuk është pajisur me pasaportë biometrike. “Duke mbajtur në duar dosjen prezantuese të modelit të paraqitur nga kompania fituese e tenderit të pasaportave, Berisha gënjeu duke thënë se pasaportat e reja dhe kartat e identitetit janë gati, dy elemente shumë të rëndësishme qoftë për liberalizimin e vizave, qoftë për standardin e munguar të zgjedhjeve në Shqipëri. Deri sot asnjë shqiptar nuk e ka marrë në dorë pasaportën e re dhe kartën e identitetit. Ne, të gjithë shqiptarët, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk kemi nevojë të shohim projektet, është kohë të shohim rezultatet. Nuk mund të gënjehen shqiptarët pas kaq vitesh zhgënjimi dhe pritjeje me deklarata boshe dhe mashtrime. Shqiptarët po vazhdojnë të vuajnë murin e vizave, sepse kjo qeveri nuk ka as vullnetin dhe as kapacitetet për të shënuar rezultate të dukshme në luftën kundër kriminalitetit, trafiqeve ilegale, emigracionit të paligjshëm. - tha Balla. Deputeti i PS-së tha se liberalizimi i vizave për shqiptarët është i pamundur për aq kohë në krye të këtij vendi do të jetë një qeveri e dështuar si ajo e Sali Berishës, që dështon në realizimin e reformave. “Nuk mund të bëhet politikë dhe as të fitohen vota duke u tallur me hallet e shqiptarëve, sikurse mundohet të bëjë Sali Berisha. Shqiptarët e dinë tashmë se heqja e vizave varet plotësisht nga cilësia dhe shpejtësia e përmbushjes së kushteve që na ka vendosur Bashkimi Europian. Por, me këtë qeveri, kushtet që mund të plotësohen vetëm në një vit, nuk përmbushen as në katër vjet”, - tha Balla.
29 Tetor 2008