Sfidat e PD-së përballë PS-së për të fituar Tiranën
Eljona Ballhysa
Zgjedhjet parlamentare në Tiranë parashikohen të jenë tejet të vështira për të gjitha forcat politike. Kryeqyteti ka treguar gjatë dy zgjedhjeve të fundit parlamentare se nuk mund të përcaktohet si bastion i ndonjërës prej partive politike. Rezultati midis dy partive të mëdha gjatë zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2005 ka patur një diferencë vetëm prej 3 për qind në Tiranë. Kjo tregon se edhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të dy kampet e politikës do të duhet të luftojnë shumë për të fituar zgjedhjet në kryeqytet.
Sfidat
Por sfida më e vështirë duket se do t’i përkasë partisë në pushtet. Kjo për faktin se në kryeqytet ndikim të madh ka dhe pushteti vendor, ku timonin e mban Partia Socialiste. Posti i kryetarit të Bashkisë dhe politika që ai ndjek është përcaktues dhe për mbështetjen e qytetarëve të zonës elektorale. Aq më tepër që kreu i Bashkisë së Tiranës për tre mandate radhazi ka vërtetuar se gëzon një mbështetje të padiskutuar në Tiranë. Ndaj pritet që kryeqytetasit të jenë më të prirur për të votuar majtas sesa djathtas. Pikërisht ky qëndrim duhet të luftohet nga PD-ja dhe aleatët e saj gjatë zgjedhjeve të qershorit 2009 për të fituar zgjedhjet në Tiranë. Por një rëndësi të veçantë do të luajë dhe përzgjedhja e kandidatëve që do të jenë të parët në listë. Është parashikuar që në Tiranë do të përqendrohen emrat më të lakuar të politikës. Kështu, liderët e partive politike pritet të kandidojnë në kryeqytet. Kjo për faktin se sistemi i ri elektoral parashikon një prag tejet të ulët për Tiranën, gjë që do të thotë se ka shumë më tepër mundësi për një kandidat për të marrë një karrige në Kuvend. Ndaj përzgjedhja e kandidatëve do të jetë e rëndësishme, megjithëse qytetarët do të votojnë për partinë apo për koalicionin.
Rezultati
Në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Demokratike arriti të marrë një rezultat mesatarisht 43.01% në Tiranë, ndërsa Partia Socialiste 40.41%. Pra diferenca ishte vetëm 3%. Në zgjedhjet e vitit 2005, Partia Demokratike mori një rezultat afro 13.73% në Tiranë, PS mori 15.75%, ndërsa LSI-ja, si forca e tretë në vend, mori një rezultat prej 10.14%. Pra, duket një epërsi më e madhe e së majtës në Tiranë gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. Nëse do të ketë një bashkim të mundshëm midis LSI-së dhe PS-së gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, kuptohet se rriten vështirësitë që duhet të kapërcejë Partia Demokratike. Megjithatë nuk duhet të merret për bazë rezultati i partive në përqindje për shkak të votimit taktik, “dushkut”, që u përdor gjërësisht nga dy partitë e mëdha. Si Partia Demokratike, ashtu dhe Partia Socialiste, gjatë zgjedhjeve parlamentare bënë fushatë për kandidatët e tyre në zonat zgjedhore, por kërkuan që votat për partinë t’u jepeshin aleatëve të tyre. Ndaj rezultati në përqindje i partive politike nuk tregon realisht mbështetjen që gëzojnë këto parti në elektorat.
Rezultati mesatar në përqindje
43.01 % PD-ja në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2001
40.41 % PS-ja në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2001
13.76% PD-ja në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2005
15.75% PS-ja në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2005
10.14% LSI-ja në Tiranë në zgjedhjet e vitit 2005
29 Tetor 2008