Rama: “Do të ulim 40% koston e prodhimit bujqësor”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u premton fermerëve shqiptarë ulje të kostos së prodhimit bujqësor. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e komunës Skënderbegas në rrethin e Gramshit, Rama e akuzoi qeverinë aktuale se ka dështuar në mbajtjen e premtimeve elektorale të bëra në vitin 2005. Rama tha se politikat e ndjekura deri tani në sektorin e bujqësisë nga qeveria kanë sjellë degradim të fshatit. Kryetari i PS-së u premtoi banorëve se Partia Socialiste në programin e saj për bujqësinë synon uljen e kostove të prodhimit bujqësor në nivel 40%. “Socialistë e demokratë, të ndahemi nga kjo politikë e vjetër, që ka shkuar duke i çuar gjërat keq e më keq, thellë e më thellë, sepse sot problemet kryesore që ka fshati janë kostot e prodhimit, apo jo? Vetëm nga rritja e sipërfaqes së punueshme mund të ulen kostot deri në 40%. Atëherë të ndërtojmë një politikë të re, të nxisim bashkëpunimin mes bujqve dhe fermerëve me mbështetje financiare dhe të ulim koston e prodhimit. Kështu ne bëjmë një rrugë e dy punë, ku nga njëra anë rrisim prodhimin dhe nga ana tjetër këtë prodhim e nxjerrim me kosto të ulët. Kështu që ulim çmimet në qytet. Kjo është politika që duhet bërë”, - tha Rama.
29 Tetor 2008