E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, komisionarët e partive, jashtë numërimit të votave

Numërimi i votave pritet të bëhet me anë të projektorëve. Mirëpritet propozimi i “Mjaft”-it për deklaratat e pasurive të kandidatëve

Shaban Sulçe

Skenat e sherreve të dhunshme gjatë numërimit të votave midis komisionarëve, si dhe pazaret e shitblerjes së fletëve të votimit, të hasura shpesh gjatë proceseve të fundit zgjedhore, duket se do të jenë fenomene në zhdukje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Arsyeja është sepse partitë kryesore, PD dhe PS, priten që në Kodin e ri Zgjedhor të sanksionojnë heqjen e të drejtës së numërimit të votave për përfaqësuesit e partive politike në komisionet e qendrave të votimit. Propozimi i bërë nga grupi i ekspertëve zgjedhor të Partisë Socialiste synon reduktimin e numrit të komisionarëve si dhe heqjen e të drejtës së tyre për të marrë pjesë në procesin e numërimit të votave. Sipas kësaj platforme, që pritet të diskutohet dhe të miratohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore, komisionarët do të kenë vetëm rol vëzhguesi gjatë procesit të hapjes së kutive, gjatë procesit të votimit dhe mbylljes së kutive të votimit.

Numërimi i votave
Për procesin mjaft të rëndësishëm të numërimit të votave, grupi i ekspertëve zgjedhorë të Partisë Socialiste ka menduar si zgjidhje përdorimin e mjeteve të avancuara teknologjike. Nuk do të ketë numërim të votave dorë më dorë, por do të realizohet një proces numërimi më transparent. Për këtë do të përdoren projektorë, të cilët do të shfaqin në mur për të gjithë vëzhguesit e këtij procesi përmbajtjen e gjithsecilës prej votave. Për procesin e numërimit të votave është menduar që të ndiqet nga njerëz apartiakë, kryesisht punonjës të sistemit gjyqësor. Propozimi për reduktimin e numrit të komisionarëve, apo për lënien jashtë procesit të numërimit të votave të disa partive është kundërshtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se PS-ja dhe PD-ja po komplotojnë kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Jo vetëm zvarritja e hartimit të këtij Kodi Zgjedhor që ka synime djallëzore, por marrëveshja apo kolaudimi i interesave të tyre në këtë Kod bëhet me qëllimin e vetëm – shmangien nga procesi i administrimit të zgjedhjeve i partive të tjera parlamentare, uverturë e re, e cila synon të na vërë në gjumë fillimisht butë e butë (dhe jo me shpejtësinë e agresivitetin e 21 prillit), për të realizuar një komploti të ri do të thosha për të shkatërruar institucionet e pavarura dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri”, - tha Braho.

Propozimi i “Mjaft”-it
Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore pritet që të marrë në shqyrtim në mbledhjen e afërme të tij propozimin e bërë nga lëvizja “Mjaft” për deklarimin e pasurive të të gjithë kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime nga lëvizja “Mjaft” thanë se propozimi i bërë është mirëpritur parimisht nga bashkëkryetarët e komisionit dhe se pritet të shqyrtohet së shpejti. Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore pritet që të miratojë edhe ngritjen e sistemit të auditit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Auditi do të kontrollojë transparencën e financimeve gjatë fushatave elektorale.

Gjykata e Apelit: Nard Ndoka, kryetar legjitim i PDK-së

Gjykata e Apelit ka rrëzuar dje padinë e Anton Gurakuqit dhe pretendimet e tij se është kryetar i PDK-së. Trupi i gjykues, i përbërë nga tre anëtarë, pasi mori në shqyrtim ankimimin e palës paditëse të përfaqësuar nga avokati Avni Shehu, hodhi poshtë pretendimet e palës paditëse dhe njohu legjitimitetin e Kongresit të jashtëzakonshëm të PDK-së të datës 03.06.2006, që zgjodhi kryetar, Nard Ndokën. Të tre anëtarët që përbënin trupin gjykues votuan pro këtij vendimi të formës së prerë, pasi pala paditëse nuk paraqiti asnjë argument ligjor, për të mbështetur pretendimet e saj. Ndërkaq, trupi gjykues vlerësoi se i gjithë dokumentacioni i Kongresit, i regjistruar në gjykatë, është në përputhje me ligjin për partitë politike. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar gjithashtu edhe alibinë e përdorur nga kryeministri Berisha për të larguar demokristianët nga qeveria.

Veliaj: “Qeveria ka humbur trenin e ndryshimit”

Aktivistë të G99-s, së bashku me studentë të shumtë që marrin çdo ditë trenin e linjës Tiranë-Durrës, udhëtuan dje së bashku me disa gazetarë për të parë kushtet e trenave dhe të transportit publik hekurudhor në vend. Gjatë këtij udhëtimi drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, duke parë gjendjen e vështirë të transportit publik, e akuzoi qeverinë se ka harruar premtimet e saj të bëra para vitit 2005. "Është normale që politikanët tanë nuk përdorin kurrë transportin publik dhe që kërkojnë makina e shoferë me kushtet në të cilat i kanë lënë shërbime të tilla për qytetarët. Kjo qeveri ka humbur jo vetëm këtë tren ku studentët, inxhinierët, juristët dhe doktorët e së ardhmes udhëtojnë në vështirësi, por më dëshpëruese është që kjo qeveri ka humbur trenin e ndryshimit, trenin e së ardhmes. Nuk mund të ketë integrim europian pa standarde në shërbimet publike si dhe një lidhje moderne dhe të mirëfilltë me sistemet e transportit të rajonit dhe Europës”, - tha Veliaj.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›