E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Berisha s‘vjen në seancë se viziton Sefgjinin

Mungesa e shpeshtë e Kryeministrit Berisha në seancat parlamentare nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e opozitës. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, është shprehur dje në fjalën e tij, në seancë se "Kryeministri është shndërruar në një pjesëmarrës ceremonial në seancat e Kuvendit". Sipas tij, kjo ndodh pasi Kryeministri nuk ka kohë të vijë në seancë, pasi shkon së bashku me miqtë e tij t‘i bëjnë vizita mikut të ngushtë Sefgjini, i cili ndodhet në arrest shtëpiak. Duke bërë ironi, Balla është shprehur se "sigurisht që personalisht besoj se në këto takime të Berishës me Sefgjinin diskutohet për politika tatimore, për realizimin e të ardhurave, madje besoj mund ta konfirmojë ministri Bode, se zoti Berisha realizon edhe ndërlidhjen e drejtorit të tatimeve me ministrin sikurse edhe me vartësit e Sefgjinit". Dhe në këto takime, thekson më tej Balla, nuk flitet aspak për akuzën që rëndon mbi Sefgjinin për zhdukjen dhe vrasjen e shqiptarit Remzi Hoxha, nuk flitet për përgjimin e takimit Berisha-Millosheviç. Duke u ndalur më pas te niveli i lartë i korrupsionit që po rritet çdo ditë dhe më shumë në vend Balla është shprehur se raporti i fundit mbi korrupsionin, ndër vlerësimet më të dhimbshme, rendit faktin se nga 2007 në 2008, shqiptarët mendojnë se ministrat janë korruptuar edhe më shumë. Raporti i fundit, rikonfirmoi vlerësimet e Barometrit Global të Korrupsionit për dy vitet e fundit, sipas të cilave: Për vitin 2006, Shqipëria u rendit e para në botë për ryshfete; për vitin 2007 Shqipëria u rëndit e treta në botë për korrupsionin, duke lënë pas Kamerunin dhe Kamboxhian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›