E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haga përgënjeshtron Carla del Ponten

Prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në bashkëpunim me kolegët e tyre shqiptarë, kanë hedhur poshtë pretendimet e ish-kreut të akuzës së OKB-së, e cila në një libër të saj theksonte se në Shqipëri janë kryer krime ndaj serbëve. Prej disa kohësh, një grup punonjësish të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës kishin mbërritur në Tiranë dhe në bashkëpunim me kolegët shqiptarë kanë inspektuar intensivisht zonën për të cilën Carla del Ponte theksonte se janë kryer operacione ndaj viktimave serbe për t‘iu marrë organet. E gjithë puna është zhvilluar në "fshehtësi" të plotë dhe larg reflektorëve të publikut. Rezultatet e kësaj pune u bënë publike vetëm ditën e djeshme, me anë të një deklarate të Prokurorisë të Përgjithshme. Në këtë komunikatë theksohet se Prokuroria e Shqipërisë mori së fundi në shqyrtim informacionin e publikuar nga ish-kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Carla del Ponte, në librin e saj "La Caccia. Io e i criminali di gurra" (Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës) në lidhje me ngjarjet që pretendohet të kenë ndodhur në vitin 2004 në zonën e Burrelit. Të iniciuara prej një grupi hetuesish të ardhur nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi në shkurt të vitit 2004, në lidhje me këto pretendime janë bërë verifikime në vend. Në zbatim të kërkesës së kësaj gjykate është zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi i përbashkët i hetuesve të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta. Duke krahasuar të dhënat e asaj kohe me ato çfarë shkruan Carla del Ponte sot në librin e saj, konstatojmë se kemi të bëjmë me të njëjtat elemente që pretendoheshin në vitin 2004 dhe Prokurorisë Shqiptare nuk i rezulton asnjë e dhënë e re, për të cilat do të ishte e nevojshme të kryhej një proces i ri verifikimi apo investigimi. Megjithatë, në rast se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi mendon se duhet të vazhdojë investigimet në këtë drejtim, Prokuroria Shqiptare është e gatshme për bashkëpunim me këtë gjykatë, ose duke asistuar në rast se hetuesit e saj vijnë vetë për hetime në Shqipëri, ose duke mirëpritur të dhëna shtesë që do t‘i jepnin shkak Prokurorisë Shqiptare për të filluar hetime në këtë çështje, në bazë të legjislacionit në fuqi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›