PS: Ose ministrat në Kuvend, ose largohemi
Opozita nuk do të marrë pjesë në asnjë nga diskutimet e lira në Kuvend për sa kohë nuk do të jenë të pranishëm në seancë Kryeministri dhe kabineti i tij. Ky "ultimatum" i është bërë i ditur dje kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetëve të mazhorancës, nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Shefja e deputetëve rozë theksoi se grupi i PS-së, nuk pranon të jetë fasadë në Kuvend. Shkak i arritjes në këtë përfundimi nga grupi parlamentar i PS-së, është bërë mungesa e vazhdueshme e Kryeministrit dhe e ministrave të tij në seancat parlamentare dhe konkretisht në diskutimin e lirë. Sipas rregullores, në gjashtëdhjetë minutat e para të seancave plenare, deputetët diskutojnë nga pesë minuta secili për problemet që i shqetëson zonat e tyre dhe situatën në përgjithësi. Probleme të cilat duhet të mbahen shënim nga ministrat përkatës për të dhënë më pas përgjigjen dhe zgjidhjen e tyre. Por prej disa seancash me radhë, zëri i deputeteve, si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca, kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi as Kryeministri dhe as ministrat e tij, nuk denjojnë të vijnë në seancë duke injoruar kështu shqetësimet e shqiptarëve, të cilat përcillen nëpërmjet deputetëve. Kjo situatë është bërë e padurueshme nga opozita, e cila i ka tërhequr vëmendjen edhe Kryetares Topalli, e cila nuk duhet të lejojë fillimin e seancave pa praninë e ministrave. Gjatë diskutimit të saj, Leskaj ka kërkuar sërish që Kryeministri Berisha të vijë në seancë për të raportuar për tragjedinë e Gërdecit. Kërkesa për një raport me shkrim të Kryeministrit për ngjarjen tragjike të 15 marsit ka disa javë që është depozituar në Kuvend, ndërkohë që nuk ka asnjë përgjigje për këtë kërkesë të grupit parlamentar të PS-së. Leskaj theksoi në emër të të gjithë deputetëve të PS se "qeveria nuk vjen në Kuvend për të dëgjuar problemet dhe hallet e shqiptarëve. Qeveria është në krizë pa zëvendëskryeministër, me dy ministra pa imunitet, me një drejtor të përgjithshëm që firmos nga shtëpia pasi është i arrestuar. Kryeministri nuk vjen në Kuvend, pasi nuk do të dëgjojë për Gërdecin". Për gati dy muaj opozita nuk ka reshtur në asnjë seancë parlamentare që të kërkojë Kryeministrin Berisha në interpelancë për të bërë raportin e plotë për tragjedinë e Gërdecit. Gjithashtu, grupi parlamentar LSI-PDS ka po ashtu dy muaj që ka depozituar në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë e Gërdecit. Në fillim kërkesa u pranua nga mazhoranca, ndërsa në seancën e shkuar Kryetarja Topalli tha se ajo nuk mund të pranohej, pasi për këtë tragjedi po hetonte prokuroria dhe nuk mund të ngrihen struktura paralele. Ky qëndrim i Topallit, u vlerësua me dy standarde nga opozita, pasi komision hetimor, Kuvendi ka ngritur edhe për çështje të tjera, pavarësisht se ajo ka qenë në hetim edhe nga organi i akuzës. Në seancën e shkuar, Kryetraja Topalli u bëri të ditur deputetëve të opozitës që të mos e kërkonin më Kryeministrin në interpelancë për tragjedinë e Gërdecit, pasi ajo është konsumuar njëherë. Por pavarësisht se realizimi i kësaj interpelance duket se nuk do të ketë asnjë shprese për t‘u realizuar, PS vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e saj.