Ministri i Jashtëm belg: Shqipëria të plotësojë kushtet për në NATO
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti homologun e tij të Belgjikës, Karel de Gucht. Në një konferencë të përbashkët pas takimit, ministri i Jashtëm, Basha, u shpreh se "diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira që kemi midis dy vendeve tona, konkretizuar nga kontaktet e shumta në nivelin politik, duke sjellë në vëmendje edhe takimin e fundit midis ministrave që realizuam në Bruksel". "I shpreha angazhimin e përbashkët për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, zgjerimin dhe forcimin në veçanti në fushën ekonomike", deklaroi ministri Basha. Ministri i Jashtëm belg, De Gucht, shprehu gatishmërinë dhe garantoi se do ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë të vështirë, por të suksesshme drejt anëtarësimit në NATO, duke u shprehur se "unë besoj se është shumë e rëndësishme që të punohet seriozisht mbi detyrat e përcaktuara nga MSA e NATO dhe për këtë ju garantoj se së bashku do të punojmë që edhe Shqipëria të jetë pjesë e BE-së me të drejta të plota".