E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i PD-së: Kritika qeverisë për korrupsionin

Korrupsioni dhe rritja e nivelit të tij në Shqipëri është kthyer dje në objekt debatesh në sallën e Kuvendit. Por ndryshe nga herët e tjera, ku jemi mësuar që PS hedh akuza dhe PD mbrohet, dje ka kanë qenë vetë deputetët e mazhorancës që kanë akuzuar për shtimin e nivelit të korrupsionit në Shqipëri. Deputeti i PD-së, Sami Gjergji, ka deklaruar dje se "gjatë fushës elektorale të 2005 dhe menjëherë sapo morëm pushtetin, u premtuam shqiptarëve luftë ndaj korrupsionit dhe vendosjen e shtetit ligjor". Por, ku jemi sot me këto premtime, ka ngritur pyetjen deputeti, Sami Gjergji, duke theksuar se megjithëse kemi arritje në luftën kundër kriminalitetit, ku janë kapur disa banda dhe kemi bërë përparësi në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe drogës, nuk duhet të fshehim të metat dhe mangësitë e kapacitetit tonë për të shkuar më tej në këtë luftë për të rrëzuar themelin e korrupsionit, lidhjet e politikës me mafien ekonomike. "Nuk është vetëm tragjedia e Gërdecit, por tragjedia e madhe dhe e vazhdueshme e korrupsionit që prek njerëzit e zakonshëm, kjo është arsyeja kryesore që duhet të shohim përtej perdes së arritjeve. Jemi vërtet në Shqipëri, por nuk ngurrojmë të deklarojmë se pas ftesës që morëm për të hyrë në NATO do të marrim ftesën për t‘u integruar në Evropë, nga të thënat në të bërë kemi përpara detin e tërë të korrupsionit", është shprehur Gjergji. Gjithashtu, për nivelin e lartë të korrupsionit, akuzat ndaj qeverisë nuk kanë reshtur dje edhe nga deputetët e opozitës, të cilët kanë marrë fjalën në Kuvend nga: Leskaj, Braçe, Balla, Islami, Klosi e Meksi, të cilët gjatë diskutimeve të tyre kanë sjellë shqetësime të ndryshme në Kuvend, duke nisur nga greva e punëtorëve të Ballshit, të cilët janë pushuar për motive politike nga drejtuesit e ARMO-s. Sipas Islamit dhe Klosit janë hequr të gjithë ekspertët dhe është mbushur me militantë të PD-së, të cilët po shpërblehen për votat e vjedhura në 2005. Ndërsa deputetja Meksi ka ngritur shqetësimin e korrupsionit në shëndetësi dhe mungesa e politikave orientuese të shtetit për përmirësimin e këtij sektori që është një nga më të rëndësishmit dhe ka të bëjë direkt me jetën e njerëzve. Gjithashtu, ajo ka sjellë në vëmendje edhe rastet më të fundit të skandaleve në mjekësi. Por akuzat e opozitës janë munduar t‘i hedhin poshtë deputetët e PD-së, Paloka dhe Xhaferri, të cilët gjatë diskutimeve të tyre kanë theksuar se vërtet sot ka korrupsion në vend, por ai nuk është më i madh sesa ka qenë në tetë vitet e qeverisjes së PS-së. "Juve ju ka munguar totalisht vullneti kundër akteve korruptive. Ndërsa ne sot kemi një ministër pa imunitet dhe një ish-ministër që është i gatshëm të lërë imunitetin. Ndërkohë që kur ishit ju në pushtet, imunitetin ua hiqnit vetëm deputetëve të opozitës", tha Paloka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›