Balla: “Berisha thotë se nuk del mbi ligjin për të hapur kutitë, por ai është shkelës flagrant i vendimeve të gjykatave”
Partia Socialiste hedh poshtë pretendimet e kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se
refuzonte të hapte kutitë e votimit, pasi nëse e bënte një gjë të tillë do të shkelte ligjin dhe do të dilte mbi vendimet e gjykatave. Deputeti socialist, Taulant Balla, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se ky pretendim i Berishës është një shfaqje hipokrizie, pasi, sipas tij, Berisha është një shkelës flagrant i vendimeve të gjykatave. Sipas Ballës, kryeministri Berisha, gjatë katër viteve të fundit dhunoi 16 herë Kushtetutën dhe refuzoi gjithashtu të zbatonte shumicën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat binin ndesh me interesat e qeverisë. “Sali Berisha nuk mund të ketë si alibi të marrjes peng të kutive të votimit të 28 qershorit asnjë vendim gjykate, sepse nuk ka një vendim gjykate që bllokon hapjen e kutive nga komisionet hetimore të Kuvendit. Shqipëria nuk është Republika e Saliut, por Republika parlamentare e qytetarëve të lirë, ku duhet të garantohet e drejta e votës ashtu sikurse duhet të hetohen hajdutët e votave. Nuk mund të thotë se ka një vendim gjykate, njeriu që për 18 vjet me radhë nuk ka respektuar qoftë edhe një vendim të vetëm apo urdhër përkundrejt tij nga gjykatat shqiptare. Nuk mund të thotë se ka një vendim gjykate Sali Berisha, kryeministri i fundit komunist në Europë, që në katër vitet e fundit e dhunoi 16 herë Kushtetutën dhe nuk zbatoi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese”, - u shpreh Balla. Ai renditi një sërë shkeljesh flagrante që kryeministri Berisha u ka bërë ligjeve dhe vendimeve të Gjyqësorit. Balla foli gjithashtu edhe për mitingun që do të organizojë qeveria në datën 8 dhjetor. “Nuk mund të festojë rrëzimin e Murit të Berlinit në Shqipëri, ky sekretar partie i pandreqshëm, që më 8 dhjetorin e 19 viteve më parë, mbante në xhep teserën dhe paguante rregullisht kuotat e Partisë së Punës. Nuk mund të festojë 8 dhjetorin 1990 njeriu që në atë ditë historike irritoi studentët, kur bëri thirrje për të falënderuar shokun Ramiz”, - u shpreh Balla. Ai i kujtoi kryeministrit Berisha se ka edhe 7 ditë kohë për plotësimin e kërkesës së opozitës. Në të kundërt, sipas Ballës, Berisha do të largohet së bashku me kutitë e votimit që refuzon t’i hapë.
Shkeljet e Berishës të ligjit sipas Partisë Socialiste
Berisha në katër vitet e fundit ka dhunuar 16 herë Kushtetutën.
Berisha nuk zbatoi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Berisha nuk u është përgjigjur asnjëherë fletëthirrjeve të gjykatave shqiptare kur ka qenë i akuzuar për shpifje.
Berisha ka refuzuar që të shkojë dëshmitar në gjyqin për vrasjen e Azem Hajdarit.
Berisha ka kërkuar të shkelë ligjin kur në vitin 2002 ka kërkuar ndryshimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me vendime të Komisionit të Ligjeve.
Berisha ka lëshuar një sërë urdhëresash në drejtim të Zyrës Përmbarimore, së cilës i ka kërkuar që të mos zbatojë vendimet e gjykatës.
26 Nentor 2009