Meta në Kosovë: “Shteti i ri, me perspektivë europiane”
Blerina Olldashi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në Kosovë, ku u takua me autoritetet më të larta të vendit, me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Me presidentin Fatmir Sejdiu, ministri shqiptar bisedoi për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili sipas tij gëzon një partneritet në rritje në të gjitha fushat, si dhe për drejtimet sa i përket dinamikës në proceset integruese në Bashkimin Europian. “Dua të shpreh konsideratën më të lartë për progresin që ka arritur shteti i ri i Kosovës në procesin e njohjeve në një kohë shumë të shkurtër dhe jam i bindur se në themel të këtij progresi qëndron Kushtetuta demokratike dhe europiane e Kosovës, ku padyshim roli i Presidentit Sejdiu ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar në këtë stabilitet politik dhe të funksionimit të institucioneve në Kosovë”,- theksoi z. Meta. Ai foli edhe për sfidat që ka Kosova, si afirmimi i mëtejshëm i shtetit të ri, i cili sipas tij gëzon njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare në një kohë të shkurtër dhe të cilat do të vijojnë pa u ndalur, si dhe sfidën për të pasur një perspektivë të qartë europiane, e cila gjithnjë e më qartë po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës. “Ka një angazhim konkret së fundmi në mënyrë që edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian ashtu sikurse angazhimin i qartë i Bashkimit Europian që kjo dinamikë pozitive e integrimit të Ballkanit Perëndimor të jetë padyshim një dinamikë e cila do të përfshijë edhe Kosovën si një shtet të ri dhe në radhë të parë si një shtet europian i krijuar në Europë dhe i cili vendin e ka pikërisht si një anëtar i brendshëm i BE-së me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”,- tha ministri Meta. Një takim të rëndësishëm, z. Meta zhvilloi edhe me kryeministrin Thaçi, të cilit i garantoi se një shumicë e padiskutueshme e vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian e kanë njohur Kosovën. Meta vlerësoi sidomos anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, si një ngjarje tepër premtuese, në mënyrë që Kosova shumë shpejt të arrijë edhe progresin e dëshiruar ekonomik dhe social dhe njëkohësisht edhe zhvillimet e tjera. Po ashtu Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë, siç tha, kurajën dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur çështjen e kufirit me Maqedoninë, e cila solli edhe njohjen diplomatike. Kjo, shtoi ai, tregon se Kosova ka idenë e qartë për fqinjësi të mirë, që në themelet e veta ka integrimin europian edhe të Kosovës dhe gjithë rajonit tonë. Meta shprehu angazhimet e Qeverisë shqiptare për të ndihmuar edhe për të kontribuuar në plotësimin e disa shërbimeve të komunitetit serb me iniciativa konkrete. “Kosova e pavarur dhe Kosova evropiane, janë interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës”,- tha Meta. Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi, si shprehje e thellimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe në funksion të proceseve integruese.
Sejdiu falënderon Metën: “Shqipëria, mbështetësja e Kosovës”
Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Shqipërisë Ilir Meta, shprehu falënderimet më të përzemërta për rolin që vendi ynë ka luajtur në proceset integruese të Kosovës. Sejdiu e falënderoi z. Meta për mbështetjen e fuqishme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Kosovës, si dhe për përkushtimin e madh të ministrit Meta që të mbështesë Kosovën në proceset e rëndësishme të integrimeve, të demokracisë, të funksionimit të institucioneve dhe në veçanti për angazhimin e posaçëm të gjithë rrjetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, por edhe të udhëheqësve me të lartë të vendit, në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës. Duke folur për arritjet e vendit, Presidenti tha se është një kualitet i veçantë i ecjes përpara, në këtë kuadër 63 vende deri tani e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të ketë nevojë për njohje të mëtejme, duke vlerësuar lart anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Bashkëpunimet rajonale si dhe marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Shqipërisë, Presidenti Sejdiu i quajti të interesit të veçantë. Ai përmendi kontributin që Shqipëria ka pasur në rajon dhe në bashkëpunimin ndërfqinjësor edhe me vendet e tjera, duke shtuar se ardhja e z. Meta në Prishtinë dhe takime të tjera që ai do të zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera do të jenë një garanci plus e këtij përkushtimi. Pas takimit me z. Meta, Presidenti Sejdiu duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve për procesin e zgjedhjeve lokale dhe për ndikimin e tij në raportet mes partnerëve të koalicionit qeverisës, tha se zgjedhjet si proces në Kosovë kanë qenë zgjedhje të mira në evoluimin e përgjithshëm. Ndërsa sa i përket stabilitetit të vendit, Presidenti tha se stabiliteti i vendit dhe i qeverisjes ekziston.
Thaçi: “Kosova e pavarur, në interes të fqinjëve”
Kryeministri Hashim Thaçi pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ilir Meta, theksoi se Kosova e pavarur dhe Kosova europiane, janë në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës. “Ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben momentit të ri përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”- tha pas takimit kryeministri Thaçi. Ndërkaq duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve Thaçi tha se është inkurajuese perspektiva euroatlantike për Kosovën si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Europian në të ardhmen e afërt dhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë. “Reformat do të vazhdojnë në të dy vendet, reforma demokratike në legjislacion, në politikë dhe ekonomi. Kontributi për paqe është, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë europiane e dy vendeve dhe dy qeverive tona”, theksoi Thaçi.
26 Nentor 2009