E Diel, 1 Nëntor 2026

Baza ligjore ku opozita mbështet kërkesën për hapjen e kutive



Shaban Sulçe

Një nen i Kushtetutës dhe dy nene të Kodit Zgjedhor duket se përbëjnë bazën ligjore mbi të cilën opozita dhe Partia Socialiste në veçanti kanë mbështetur kërkesën e tyre për hapjen e kutive të votimit. Përkatësisht bëhet fjalë për Nenin 23 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën e informimit publik, si dhe për nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor, që kanë të bëjë me rinumërimin e votave.

Kushtetuta

“E drejta e informimit është e garantuar. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”. Kështu thuhet në Nenin 23 të Kushtetutës, i cili bazohet edhe në ligjin për informimin. Neni dhe ligji në fjalë garantojnë të drejtën e informimit të publikut ndaj çdo materiali apo dokumentacioni zyrtar. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ky dokumentacion klasifikohet sekret shtetëror. Votat që gjenden në kutitë e votimit në zgjedhjet e 28 qershorit quhen dokumentacion zyrtar, por, nga ana tjetër, nuk klasifikohen si sekret. Për këtë arsye, opozitarët kërkojnë që t’u vihen në dispozicion materialet zgjedhore, si përmbushje e të drejtës së tyre për t’u informuar.

Kodi Zgjedhor

Pika 3 e Nenit 136 të Kodit Zgjedhor garanton rinumërimin e votave, nëse ajo bëhet me kërkesën e të paktën dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. Kërkesa mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht në seancën publike të shqyrtimit të ankimit”, - thuhet në këtë pjesë të nenit. Në fakt, gjatë periudhës së ankimimeve, tre anëtarë të opozitës, të pranishëm në komision, kërkuan rinumërim dhe hapjen e kutive për disa qarqe, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Kjo ishte edhe arsyeja pse Ristani u vendos në shënjestër të akuzave të ashpra nga Partia Socialiste.
Një tjetër nen që sanksionon rinumërimin e votave është Neni 138 i Kodit Zgjedhor. “Për nevojat e hetimit administrativ, KQZ-ja, kur ka pranuar kërkesën e palëve apo kur ka kërkesë të dy anëtarëve të saj, sipas parashikimeve të Nenit 136, pika 3 të këtij Kodi, këqyr dokumentacionin dhe materialin zgjedhor që ndodhet në kutinë e materialeve zgjedhore dhe/ose kutitë e votimit dhe fletët e votimit, si dhe çdo dokumentacion apo material tjetër zgjedhor. Kur materiali zgjedhor ndodhet brenda kutive me vula sigurie, hapja dhe rimbyllja e tyre bëhet sipas procedurave që parashikon Kodi për hapjen dhe mbylljen e kutive, duke treguar dhe shënuar kodet me të cilat kutitë përkatëse janë mbyllur nga KZAZ-ja, si dhe numrat me të cilat ato mbyllen rishtazi. KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara. Në rastin e kutive të votimit, të konstatuara si “KUTI TË PARREGULLTA” nga KZAZ-ja, sipas Nenit 115 të Kodit, KQZ-ja është e detyruar të kryejë një hetim administrativ. Hetimi nuk kufizohet vetëm në këqyrjen nga jashtë të kutisë, duke vlerësuar në tërësi faktet dhe rrethanat që kanë çuar në konstatimin e kutisë si “KUTI E PARREGULLT”, por edhe nëse këto parregullsi kanë ndikuar në materialin zgjedhor. Nëse KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjektit zgjedhor, shprehet me vendim se janë kuti të rregullta, KQZ-ja kryen numërimin fillestar të votave në këto kuti”, - thuhet në këtë pjesë të Kodit Zgjedhor.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›