E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Bashkia. Agolli: “Berisha gënjen, për shitjen e truallit kanë votuar demokratët”



Pas akuzave të Berishës ka reaguar dje administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli. Ai e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e kryeministrit, ndërsa ka shtuar se për shitblerjen e truallit kanë votuar këshilltarët demokratë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. “Së pari, Berisha gënjen kur thotë se kryetari i Bashkisë ka shitur tokën në favor të shoqërisë ‘Taivan’ sh.p.k. Shoqërisë ‘Taivan’ i është shitur një sipërfaqe toke, për efekt legalizimi, nga ana e Këshillit Bashkiak, me Vendim Nr. 2, dt. 17 shkurt 2005. Madje, në bazë të ligjit, shitblerja e trojeve kërkon shumicë të cilësuar dhe ky vendim është miratuar me 71% të votave, duke marrë dhe votat pro të një pjese të mirë të anëtarëve të koalicionit të Partisë Demokratike”, - është shprehur Agolli. “Së dyti, Berisha gënjen kur thotë se ligji nuk lejonte shitjen e tokës dhe Bashkia e ka bërë në shkelje të tij. Këtu kemi Ligjin Nr. 9209, Neni 2, pika 11 e të cilit përcakton se në rastin e trojeve publike, për efekt legalizimi, toka shitet nga Këshilli Bashkiak apo i Komunës. Për sqarim, po për efekt legalizimesh, sot qeveria po shet toka anembanë Shqipërisë. Së treti, gënjen miliona herë kur thonë se Bashkia ka shkaktuar dëm miliona euro, pasi çmimi është në kundërshtim me ligjin. Këtu kemi relacionin e administratës, përcjellë nga kryetari i Bashkisë, Këshillit Bashkiak, ku i propozohet që çmimi të përzgjidhet në një nga dy mënyrat; sipas përcaktimit të ligjit, apo me ngritjen e një komisioni nga Këshilli, për përcaktimin e çmimit të tregut. Këshilli, me insistimin edhe të këshilltarëve demokratë, vendosi sipas përcaktimit të ligjit. Nga ana tjetër, vlera e paguar për legalizimin, sikur të ishte bërë me ligjin që zbaton sot qeveria, do të bënte që subjekti të paguante 5 herë më pak, nga çka është derdhur në arkën e Bashkisë në vitin 2005”, - është shprehur Agolli.

Mitingu i PD-së, Doda: “Mafiozët e kuq të mos guxojnë të prekin ëndrrën tonë europiane”

Në kuadër të përgatitjeve për mitingun e datës 8 dhjetor, demokratët i kanë bërë thirrje opozitës që të mos guxojnë të prishin ëndrrën europiane. Në emër të PD-së dje ka reaguar deputetja Mesila Doda, si ish-studente e dhjetorit. “Ne jemi 8 dhjetori, ne jemi ata që rrëzuan ‘Murin e Berlinit’. Këtë 8 dhjetor do të festojmë si asnjëherë me parë ditën kur takuam lirinë, kur vendosëm të mos pyesim e të mos frigohemi më nga pashallarët e kuq, nga don-Gramozi, nga shoku Kristaq, nga Gjinushi,
Xhelili, Bushati, Peza etj. I shpërfytyruar, humbësi i 28 qershorit po tregon se ka tmerr dhe frikë nga festa që po afron, por tashmë, pas 20 vitesh, tingëllon donkishotesk
kërcënimi dhe ultimatumi që ai i bën sistemit të demokracisë”, - është shprehur Doda.
Ajo i bëri thirrje opozitës që të mos cenojë mitingun e PD-së. “Do t’i them sot aleancës puniste-mafioze të Edvinit, Gramozit, se sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, se 16 nëntori ishte përgjigjja më e bukur e ëndrrës sonë për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa, tamam tani që po afron 8 dhjetori. Dua t’u them mafiozëve të kuq, të rinj e të vjetër, që të mos guxojnë të prekin a të kërcënojnë ëndrrën tonë europiane”, - është shprehur Doda.

Qeveria miraton dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë

Qeveria miratoi dje vendimin për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vendim shumë të rëndësishëm, duke siguruar se qeveria do t’i qëndrojë angazhimit të saj për ish-të përndjekurit politikë të regjimit komunist dhe ish-pronarët për dëmshpërblimin dhe kompensimin e tyre. “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm që bëhet në zbatim të ligjit dhe procesi do të fillojë. Këto dy shtresa, të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, do të kenë vëmendjen maksimale të qeverisë për t’i qëndruar dëmshpërblimit, kompensimit të tyre”, - u shpreh kryeministri.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›