E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët demokratë: “Bashkimi PD-PDR nuk sjell fitoren e zgjedhjeve”



Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, duke komentuar bashkimin e Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike, ka deklaruar dje se kryetari i PD-së, Berisha, nuk ka ndryshuar, megjithëse ka vite që e drejton partinë. Sipas tij, ata që kanë ndryshuar janë politikanët që janë larguar dhe që rikthehen sërish në gjirin e PD-së. Ish-zëvendëskryeministri Shehi tregon arsyet e largimit të 16 anëtarëve të PD-së nga kjo parti në vitin 1997. Në mars të vitit 1997, në kulmin e krizës sociale dhe politike në Shqipëri, nga dera e selisë së Partisë Demokratike 16 anëtarë ministra, ish-ministra, deputetë dhe anëtarë të kryesisë deklaruan divorcin me Berishën dhe Partinë Demokratike. “Sigurisht që Berisha i sotëm nuk është ai i 1997-s, por nuk do të thotë që tani është bërë më i mirë, apo më i keq. Por duke dashur të kontrollojë gjithë oborrin e pushtetit të tij ai në atë kohë humbi njerëz. Sot, sigurisht është më oportunist, më pragmatist, kjo bën që të jetë më tolerantë, natyrisht për ata që i binden linjës së Berishës. Pra, në këtë këndvështrim, kjo do të thotë që s’ka ndryshuar. Të larguarit, ata që janë kthyer te streha nga e cila janë larguar, kanë ndryshuar”,- është shprehur kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. I pyetur për një rikthim të mundshëm të tij në gjirin e Partisë Demokratike, Dashamir Shehu shprehet i sigurt se nuk do të ketë një lëvizje të tillë. Ai madje mendon se e djathta ka humbur dinjitetin e saj gjatë këtyre 10 viteve. Sipas Shehit, i fituari në këtë mes është vetëm njeriu që firmos kryesimin e PD-së që nga 12 dhjetori i vitit 1990, pra kryetari Berisha.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›