E Diel, 1 Nëntor 2026

"Japonia, paqësore në Luftën II Botërore"

Shefi i Forcave Ajrore japoneze
është pushuar
nga detyra pas deklaratës
se vendi i tij nuk luajti rolin e
agresorit në Luftën II Botërore.
Sipas Ministrisë së Brendshme,
pikëpamja e shefit të aviacionit
ishte shtjelluar në një ese të tij
dhe gjithçka binte ndesh me
pozicionin zyrtar të Japonisë,
në lidhje me Luftën II Botërore.
"Kësisoj, qëndrimi i tij në pozicionin
e shefit të aviacionit nuk
është më i pranueshëm dhe ai
është përjashtuar menjëherë
nga funksioni që kryente",
ka bërë të ditur Ministria e
Mbrojtjes. Edhe pse ndaj tij
është marrë një masë ekstreme,
pikëpamjet e gjeneralit ka
shumë të ngjarë që të inatosin
fqinjët e Japonisë. Kina, Koreja
dhe vende të tjera aziatike
ende nuk i kanë shuar nga
kujtesa ngjarjet tragjike dhe
dramat e mëdha të pushtimit
japonez dhe viteve të sundimit
kolonial. Japonia ka shprehur
keqardhje dhe ka kërkuar falje
për viktimat e shkaktuara gjatë
periudhës së luftës, në vitin
1995 dhe 10 vjet më vonë e ka
ripërsëritur kërkesën për falje.
Ndëshkimi i menjëhershëm që
është ndërmarrë ndaj gjeneralit
është kryer në mënyrë që
askush të mos krijojë ndonjë
iluzion të gabuar, që Japonia
është në njëfarë mënyre në
një mendje me ushtarakun.
Megjithatë, deklaratat e tij
do të shkaktojnë diskutime,
debate e pakënaqësi. Një gjë
e tillë është e pashmangshme,
kur bëhet fjalë për një drejtues
të nivelit të lartë të ushtrisë
japoneze. Gjenerali në esenë
e tij me temë "Pikëpamjet e
vërteta për historinë moderne",
shkruan: "Edhe sot ka shumë
njerëz që mendojnë se vendi
ynë, me sjelljen e tij gjatë luftës,
u ka shkaktuar shumë fatkeqësi
vendeve të tjera, veçanërisht
vendeve fqinje, por ka ardhur
koha që të kuptojmë se akuzat
e tyre ndaj nesh janë false,
sepse ne nuk kemi qenë kurrë
një vend agresor". Lufta e
Dytë Botërore në Azi-Paqësor
njihet në Azi si Lufta e Madhe
e Azisë Lindore dhe njëherazi
ka të bëjë edhe me përpjekjet
e shumë vendeve për pavarësi
nga sundimi kolonial japonez.
Sipas ish-shefit të aviacionit,
veprimet ushtarake japoneze
gjatë kësaj periudhe ishin të
bazuara në traktate dhe se
gadishulli nën sundimin e japonezëve
kaloi një kohë shumë
të qetë dhe pa luftëra. Sipas
tij, Ruzvelti e kishte manipuluar
Kominternin, organizatën
ndërkombëtare komuniste
të themeluar në Moskë në
vitin 1919 dhe se ishte faji
dhe përgjegjësia e Presidentit
amerikan thirrja dhe përfshirja
e Japonisë në luftë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›