E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Heqim vizat brenda gjashtë muajsh

Partia Socialiste garantoi dje se në programin e saj qeverisës ka parashikuar hapa konkretë që përmbushin detyrimet për liberalizimin e vizave brenda 6-mujorit të parë të qeverisjes, duke u mundësuar kështu shqiptarëve lëvizjen e lirë në hapësirën "shengen". Deputeti socialist, Taulant Balla, theksoi se "që prej shembjes së sistemit totalitar në vitin 1990, shqiptarët janë përballur me regjime vizash relativisht strikte, të cilat virtualisht i kanë ri-izoluar, duke e bërë edhe më të largët ëndrrën evropiane, por në të njëjtën kohë duke nxitur instinktivisht perceptimin e qytetarëve të thjeshtë, se procesi i integrimit evropian ka të bëjë vetëm me heqjen e regjimit të vizave". Sipas tij, kjo pritshmëri dhe kjo përqasje e qytetarëve që e identifikojnë aspiratën historike të shqiptarëve me lëvizjen e lirë, pra me rezultate dhe reforma konkrete, duhet të kishte qenë fokusi kryesor i qeverisë përgjatë këtyre katër viteve. Është për të ardhur keq, vijoi ai, që për asnjë moment kjo qeveri, ministrat përgjegjës dhe Kryeministri i saj nuk e kanë kuptuar që vendimi i institucioneve të Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë varet tërësisht nga performanca individuale e secilit shtet në rajon, performancë që nënkupton përmbushje të të gjitha detyrimeve dhe standardeve që burojnë nga "Road-Map"-i i Komisionit Evropian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›