Berisha mbron lustracionin para "Venecias"
Gjykata Kushtetuese ka qenë në qendër të sulmeve të Kryeministrit Berisha gjatë takimit me delegacionin e Komisionit të Venecias, të cilët ndodhen në Tiranë për t‘u njohur me këndvështrimin e Kryeministrit për sa i përket ligjit të lustracionit, i cili i është dërguar këtij komisioni për opinion nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Delegacioni i kryesuar nga znj. Hanna Suchocka, ambasadore e Polonisë në Selinë e Shenjtë dhe njëkohësisht zv/ presidente e Komisionit të Venecias, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Berisha larg vëmendjes së mediave. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se kreu i qeverisë është shprehur se "vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të këtij ligji, binte në kundërshtim të hapur me parimin e shmangies së konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht me vetë ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese". Për Kryeministrin, ligji për lustracionin i miratuar në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës ishte gjetur më parë në përputhje me Kushtetutën. Për qeverinë, procesi i lustracionit dhe i pastrimit të administratës publike nga elemente të cilat kanë kryer krime kundër njerëzimit, është një proces i pakthyeshëm. Gjithashtu, nga njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, bëhet e ditur se Berisha përfaqësuesve të delegacionit u ka bërë një ekspoze të krimeve të komunizmit, si dhe krimeve kundër njerëzimit të kryer nga regjimi komunist në Shqipëri. Bëhet e ditur se Berisha u ka shpjeguar të pranishmëve në takim historikun e lustracionit në Shqipëri, si dhe përputhshmërinë e ligjit shqiptar me atë çek. Kryeministri ka theksuar se kryefjala e të gjithë këtij procesi është shkëputja njëherë e mirë nga krimet kundër njerëzimit, si edhe garantimi i integritetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Po ashtu, ai ka theksuar se parimi i shmangies nga konflikti i interesit është një nga elementet më themelore të pavarësisë së gjyqësorit dhe integritetit të saj. Ligji për lustracionin është një ndër ligjet më të debatueshme nga politika shqiptare, pasi ka hasur në kundërshtinë e opozitës, por edhe të faktorit ndërkombëtarë, të cilët nëpërmjet diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë ka kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes në hartimin dhe zbatimin e këtij ligji. Por, zëri i tyre ka qenë i dobët përballë vendosmërisë së qeverisë për ta miratuar me patjetër këtë projektligj. Pas shumë debatesh, Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës ligjin e lustracionit, i cili është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga ana e opozitës. Ndërsa vetë Gjykata Kushtetuese e ka dërguar në Komisionin e Venecias për mendim. Mazhoranca e ka vlerësuar si të padrejtë dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se disa anëtarë të kësaj gjykate nuk duhet të jenë pjesë e këtij shqyrtimi, pasi kanë konflikt interesi me ligjin. Pas gjithë këtyre debateve, ligji ka mbetur pezull për sa i përket zbatimit të tij, duke mos gjetur zbatim konkret.