E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, provim për Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komisioni Evropian dhe OSBE-ja ishin dje në një zë teksa theksuan rëndësinë kyçe që kanë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit për integrimin e Shqipërisë. Të pranishëm në një tryezë të përvitshme të donatorëve, diplomatët ndërkombëtarë i bënë thirrje klasës politike të jetë e kujdesshme në menaxhimin e këtij procesi. Sakaq, nga Brukseli, komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se sfida e 28 qershorit do të jetë si një lakmues për demokracinë shqiptare dhe të ardhmen e saj evropiane. "Shqipëria ka një test të rëndësishëm demokracie, që janë zgjedhjet e 28 qershorit. Së pari duhet thënë se policia ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit dhe duhet të tregojë se trajnimet e bëra deri më tani janë përftuar", tha zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Stephan Cristina. Sipas tij, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, duhet bërë kujdes që institucionet ligjore dhe pavarësia e tyre të mos cenohen. Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, u shpreh se "sot Shqipëria dorëzon kërkesën për statusin kandidat në BE, ndërsa një sërë ngjarjesh të rëndësishme janë shënuar në pak kohë, siç është ratifikimi i MSA-së dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO". Të gjitha këto ngjarje, vijoi Lohan, shënojnë një epokë të re që kërkon plotësimin e standardeve të tjera. "Test i parë i kësaj epoke të re janë zgjedhjet e afërta parlamentare. Është në dorën e Shqipërisë për të treguar se është gati për fazën tjetër të integrimit. Pa shtet ligjor nuk ka drejtësi", tha Helmut Lohan. Sakaq, OSBE mbështeti idenë e kartave të identitetit me 200 lekë dhe i bëri thirrje opozitës të kthehet në Parlament, megjithëse numri i seancave plenare është i kufizuar. Qëndrimi i misionit u bë publik dje nga zëvendësambasadorja Renat Herrmans, e cila i kërkoi klasës politike të arrijë sa më shpejt konsensusin për të mos rrezikuar zgjedhjet. "Duhet të gjendet sa më parë zgjidhja, pasi të dyja forcat janë të interesuara që të kenë votues në zgjedhje. Mendoj se çmimi 200 lekë është i arsyeshëm dhe puna në Kuvend është e rëndësishme, prandaj dhe opozita duhet të kthehet atje", u shpreh ajo. Ne nuk mbrojmë asnjë palë në këtë përplasje, garantoi diplomatja Herrmans, por mbështesim zgjidhjen, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa karta, të cilat nuk janë vetëm për të votuar. "Kam bindjen se puna në Parlament është gjithmonë e rëndësishme për të dyja palët, ndaj ne mbështesim fort rikthimin e opozitës në Parlament, por mbi të gjitha mbështesim një zgjidhje të përbashkët dhe besojmë se çmimi me 200 lekë do të ishte i arsyeshëm", theksoi Herrmans. Në vlerësimin e numrit dy të OSBE-së në Shqipërisë, fushata do të fillojë së shpejti dhe partitë duhet të paraqesin programe në dobi të qytetarëve, në mënyrë që ata të inkurajohen të votojnë. Deklaratat e diplomatëve të huaj, të akredituar në kryeqytetin shqiptar, vijnë në të njëjtën ditë kur Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dorëzoi në Pragë aplikimin zyrtar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›