E Diel, 1 Nëntor 2026

Pragë, Berisha dorëzon aplikimin te Topolanek

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian mori zyrtarisht dje aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në familjen evropiane. Ceremonia u krye në kopshtin para godinës së qeverisë çeke. Kryeministri Sali Berisha, në prani të drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin, Michael Leigh, dhe delegacioneve të të dyja vendeve, dorëzoi kërkesën e shtetit tonë. Drejtori për Zgjerimin në BE, Leigh, tha se "sot, Shqipëria ka realizuar një gur të madh kilometrik, që shënon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj vlerave evropiane". "Mirënjohja ime shkon për ju, qeverinë dhe vendin tuaj, për mbështetjen tuaj të plotë, si dhe për ftesën që ju më bëtë sot, me rastin e dorëzimit, në emër të vendit tim, juve, si kryetar i radhës së Bashkimit Evropian, kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE", u shpreh Berisha. Në këto momente historike për vendin tim, shtoi ai, mendjet dhe sytë e bashkëqytetarëve të mi shqiptarë, të cilët e konsiderojnë anëtarësimin në BE si ëndrrën e projektin më të bukur për të gjithë ata, si projektin më të shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve të tyre. "Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe", vijoi Berisha. Një burrë shteti i madh evropian, tha Berisha, ka deklaruar jo shumë kohë më parë se ne duhet t‘i mësojmë evropianët ta duan Evropën. "Por unë kam kënaqësinë t‘ju afirmoj ju sot, zoti Kryeministër i Republikës çeke, se 96 për qind e shqiptarëve duan integrimin e plotë të Shqipërisë në Evropë. Kështu, sindroma e kombit im është dashuria e tyre pasionante për Evropën", u shpreh Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka treguar sot se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagenit konsolidohen vazhdimisht. "Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje. Ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik", theksoi Berisha. Kryeministri Topolanek theksoi se "sot, Shqipëria paraqet zyrtarisht, me anë të Kryeministrit, kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Nuk është vetëm sepse presidenca çeke e mori këtë hap dhe sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e presidencës së saj. Procesi i zgjerimit ka kriteret dhe kushtet e veta specifike. Unë besoj se në rast, çdo vend do t‘i plotësojë këto kritere". Kështu, tha ai, që pas dorëzimit të aplikimit në duart e mia, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu do të fillojë procesi avis, procesi i shqyrtimit dhe kjo procedurë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së. "Por, përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t‘u bërë. Sot, mendoj se Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë dhe kështu, ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar, do të bëhet realitet", theksoi Topolanek. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, u shpreh se "tashmë u takon shqiptarëve që të shfaqin aftësitë e kapacitet e tyre për të kaluar në etapën tjetër të integrimit drejt BE-së. Kjo do të thotë forcim i zbatimit të ligjit". Ai insistoi se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor, në mënyrë të lirë e të ndershme, mbetet një kusht kyç. Perspektiva evropiane për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit është thelbësore për stabilitetin dhe begatinë e këtij rajoni, ashtu si edhe për gjithë BE, për të bërë përparim solid në reformat ekonomike, për të krijuar një mjedis të favorshëm për bashkëpunim ekonomik, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE, falë meritave të tyre personale, duke pasur si qëllim e synim anëtarësimin e plotë në BE", nënvizoi Leigh.

Analiza

Precedentët e mëparshëm, si mund të reagojnë 27 vendet

Shqyrtimi i kërkesës,

skenarët e mundshëm

të Brukselit

Fati i aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian mbetet në dorë të presidencës suedeze, që fillon mandatin në qershor dhe e mbyll në dhjetor të këtij viti. Në një studim të Lëvizjes Evropiane në Shqipëri analizohen skenarët që Brukseli zyrtar mund të ndjekë për rastin e aplikimit të Shqipërisë. Procesi nis me paraqitjen e aplikimit për anëtarësim nga vendi aplikant, drejtuar vendit që mban Presidencën e BE-së. Një nga elementët të cilët duhen marrë parasysh në këtë moment, është kërkesa për unanimitet në vendimmarrjen e Këshillit, për t‘i kërkuar ose jo Komisionit Evropian përgatitjen e të ashtuquajturës avis. Kjo do të thotë që çdo vend mund të bllokojë ecjen e procesit si për shkaqe të brendshme (paqartësia rreth Traktatit të Lisbonës, qëndrimi kundrejt zgjerimit të mëtejshëm etj.), ashtu edhe për pretendime të ndryshme ndaj vendit aplikues (mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare, sundimi i së drejtës, kapacitetet administrative, respektimi i minoriteteve etj.). Mundësitë që Këshilli ta refuzojë aplikimin janë thuajse zero, për shkak të impaktit që do të kishte një vendim i tillë jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj vendeve të tjera të rajonit, çka do të dekurajonte kursin pro evropian të rajonit. Megjithatë, ekziston mundësia e një lloj "refuzimi elegant", që do të thotë shtyrje e procesit të shqyrtimit nga njëri takim i Këshillit në tjetrin, apo nga njëra presidencë në tjetrën. Por, Këshilli mund dhe të vendosë të mos e fusë në rendin e ditës aplikimin, duke e lënë atë në sirtarë, për ta nxjerrë në një moment të dytë të gjykuar më të përshtatshëm. Gjithsesi, mënyra se si operoi Këshilli me aplikimin e Malit të Zi, mund të shërbejë si ogur edhe për aplikimin e Shqipërisë. Një alternativë tjetër është ajo e vendosjes së disa detyrave të shtëpisë, ose kritereve për t‘u përmbushur para shqyrtimit të aplikimit, siç ka ndodhur me Bosnjë-Hercegovinën, në lidhje me raportin e fizibilitetit për fillimin e negociatave për MSA-në. Në rast se faza e sipërpërmendur kalohet me sukses, Këshilli i kërkon Komisionit të përgatisë opinionin dhe rekomandimin e tij për aplikimin e vendit, pra fillimin real të shqyrtimit të mundësisë së fitimit të statusit të vendit kandidat. Pas një përgatitjeje fillestare prej disa muajsh, Komisioni i dorëzon pyetësorin e hartuar vendit aplikant, i cili zbërthen të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit dhe Madridit në qindra pyetje specifike që kërkojnë përgjigje të detajuara për çdo fushë. Gama e pyetjeve që kërkojnë përgjigje për çdo fushë, përfshin jo vetëm legjislacionin, por edhe strukturat zbatuese, funksionimin e institucioneve, burimet njerëzore, buxhetin e alokuar, bashkëpunimin ndërmjet agjencive të ndryshme dhe nivelin e zbatimit e shtrëngimit të legjislacionit. Thënë ndryshe, nëpërmjet pyetësorit, Komisioni skanon imtësisht kapacitetet administrative të vendit aplikant, sikurse verifikon seriozitetin dhe vullnetin politik të tij. Për shembull, në rastin e Maqedonisë pyetësori ishte rreth 100 faqe, ndërkohë që përgjigjja e parë e qeverisë maqedonase ishte rreth 15 mijë faqe. Komisioni pas marrjes së përgjigjeve i vlerëson ato përgjatë një periudhe kohore dhe gjithashtu i kërkon sqarime dhe përgjigje të mëtejshme qeverisë së vendit aplikant për çështje që konsiderohen të rëndësishme, apo për çështje ku përgjigjja konsiderohet e pamjaftueshme. Me përgatitjen e opinionit dhe dërgimin e tij Këshillit, Komisioni e përfundon punën e tij. Bazuar në opinionin e Komisionit, Këshilli duhet të vendosë sërish në mënyrë unanime për t‘i dhënë ose jo aplikantit statusin e vendit kandidat. Mundësitë që Këshilli të japë një vendim jo pozitiv në këtë fazë janë shumë të pakta, duke pasur parasysh efektin negativ të mesazhit që do të përçohej, sikundër praktikën e ndjekur deri më sot. Megjithatë, refuzimi nuk është opsion i pamundur. Një variant i butë refuzimi mund të jetë në trajtën e vendimit të kushtëzuar, që do të thotë se vendit i jepet një listë detyrash ose kriteresh specifike për t‘u përmbushur (të ngjashme me Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave), përpara se Këshilli të japë një vendim pozitiv. Një tjetër mundësi është që Këshilli të japë statusin e vendit kandidat, por të mos përcaktojë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Kjo situatë është verifikuar në rastin e Kroacisë, ku negociatat për anëtarësim nuk filluan deri në çastin që gjeneral Gotovina u dorëzua në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, si pasojë e kundërshtive të Holandës e Belgjikës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›