Balla: Integrimi po sabotohet nga Berisha
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme në PS, Taulant Balla, ka deklaruar dje se qeveria po saboton procesin e rëndësishëm të stabilizim-asocimit të Shqipërisë me BE-në. Në mungesë të hapave pozitivë, Balla ka deklaruar se procesi historik i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO, nuk mund dhe nuk duhet të sabotohet për qëllime personale dhe partiake të kryeministrit Sali Berisha. Balla argumentoi dje raportin e Monitorimit të Shqipërisë në Procesin e Stabilizim Asocimit, i hartuar nga ekspertë të kontraktuar nga “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” “Vlerësimet e këtij raporti, konfirmojnë vlerësimet e bëra tashmë publike edhe nga Raporti i Progresit të Komisionit Europian, se Shqipëria, në mungesë të hapave konkretë të zbatimit dhe forcimit të reformave në kuadër të MSA-së, po vazhdon të mbetet peng i keqqeverisjes, mungesës së vullnetit dhe kapaciteteve për implementimin e detyrimeve që na imponon procesi i integrimit europian”,- tha dje Balla. Deputeti i PS-së u përqendrua në çështjet kritike ku ishte fokusuar raporti si: në procesin e hartimit të ligjeve; raportin e qeverisë me institucionet e pavarura; në departamentin e administratës publike, që vazhdon të jetë e dobët, si dhe në mungesën e hapave konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Balla lëshoi akuza edhe ndaj Ministrisë së Integrimit, si struktura kryesore bashkërenduese e procesit, e cila, sipas tij, po anashkalohet nga strukturat qeveritare në procesin e hartimit dhe miratimit të projekt-akteve ligjore me rëndësi të veçantë. Ai shtoi gjithashtu se Komiteti Ndërministror i Integrimit, në vitin 2008 është mbledhur tri herë në mënyrë sporadike. Por krejt i kundërt ka qene argumenti që solli dje Ministria e Integrimit përmes një njoftimi për shtyp. Në këtë deklaratë thuhet se pas rreth 2 vitesh në fuqi të Marrëveshjes së Ndërmjetme, janë realizuar thuajse të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj: nga 31 detyrime janë realizuar 21 detyrime ose 68 %; janë në proces 10 detyrime ose 32 %. “Sa i përket mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Integrimit, i bëjmë thirrje minideputetit Balla që, për hir të procesit, të integrohet me informacionin, të cilin, edhe pa vënë në punë intelektin, mund ta gjejë në faqen tonë në web”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Integrimit.