Besa zbukuron kampionatin, ndalon Tiranën në Qemal Stafa
Java e nëntë e kampionatit të 70-të të kategorisë superiore është zhvilluar në dy ditë dhe ka qenë kryendeshja Tirana-Besa ajo që ka mbyllur gjithçka për këtë raund. Një risi për këtë javë ka qenë edhe prania e trajnerit të kombëtares, Ari Han, që ka ndjekur dy takimet e kryeqytetit. Takmi i djeshëm kishte shumë rëndësi për Tiranën, pasi nëse do të fitonte ndaj Besës, do të përligjej entuziazmi i bardhebluve për të mos njohur kundërshtar. Por dje skuadra e Slishkoviçit ka çaluar përsëri, pasi megjithëse luante në fushën e saj, ka vuajtur për të marrë një pikë. Në dy javët e fundit Tirana ka arritur të grumbullojë vetëm dy pikë dhe tashmë gjërat kanë filluar të ndryshojnë te 23 herë kampionët. Siç shikohet, Tirana nuk është më ajo e mëparshmja, ose duhet pranuar se edhe të tjerët po rriten, duke mos i lënë bardheblutë që të marrin arratinë. Besa e trajnerit Daja edhe dje ka treguar potencialin e saj dhe me barazimin që ka marrë, e ka hapur edhe më shumë kampionatin dhe në të njëjtën kohë pozicionohet në grupin e pretendentëve për titull. Në katër takimet e fundit Tirana duhet përgëzuar se nuk është mundur, por me atë që ka dhënë në fushë ka treguar se besoi shumë shpejt se nuk kishte rival. Me barazimin e djeshëm, Tirana e ka lënë fluturimin, duke zbritur në "tokë" dhe tashmë duhet t'i bëjë mirë llogaritë, pasi nëse nuk ndryshon, nuk është çudi që në fund të fazës së parë të lërë kryesimin, pasi Dinamo është tri pikë larg, ndërsa Shkumbini, Vllaznia dhe Besa janë katër pikë poshtë bardhebluve.
Dinamo dhe Shkumbini konfirmojnë momentin e mirë
Kampionët në fuqi të Dinamos kanë arritur një tripikësh të vlefshëm në stadiumin pa tifozë të Fierit, pasi fituan pastër 0 2. Me këtë rezultat, dinamovitët po ecin të sigurt drejt realizimit të objektivave të tyre, pasi lojtarët dhe stafi trajnues kanë filluar ta njohin më mirë njëri tjetrin. E rëndësishme për blutë e kryeqytetit është se sulmi po e gjen veten, pasi në dy javët e fundit, Dinamo ka shënuar nga dy gola. Megjithëse përballë kishin kampionët, Apolonia nuk e shmang dot humbjen e dytë radhazi. Një surprizë të bukur, por gjithsesi të pritshme, këtë javë e ka bërë Shkumbini, që në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" fiton 0 2 ndaj Partizanit të vendit të fundit. Me plot gojën duhet pranuar se Shkumbini i drejtuar nga trajneri Gugash Magani, po shkruan një histori të bukur në futbollin shqiptar, pasi ecuria e peqinasve ka kalur të gjithë parashikimet e parafillimit të sezonit. Falë investimeve të presidentit Xhavit Ismaili dhe donatorëve të tjerë, Shkumbini e ka lënë "startin" e zakonshëm dhe tashmë është i gatshëm të luftojë për të realizuar objektivin e tij, që është një vend për në zonën europiane.
Rikthehet Vllaznia, Elbasani ka radhën për "jo"
Djemtë e trajnerit Agim Canaj kanë bërë një autokritikë të shëndoshë, pasi në fushën e tyre fitojnë bindshëm, 2 0, ndaj një kundërshtari pretendent si Elbasani. Reagimi i shkodranëve ka ardhur në momentin e duhur, pasi nëse do të kishte pasur rezultat tjetër, përveç fitores, nuk do të ishte çudi që në kampin kuqeblu të kishte ndonjë "shkundje". Me golat e Sinanit dhe Dhëmbit skuadra rigjen fitoren dhe nuk lë që t'i largohet kreut. Një javë në parë Elbasani reagoi disi, pasi mundi Lushnjën, por përsëri skuadra e Mirel Josës nuk është e denjë që të përballojë vrullin e shkodranëve.
Partizani në pritje të "operacionit të dimrit"
Para takimit me Shkumbinin, Partizani kishte bërë disa ndryshime, ku më kryesori ishte drejtimi i skuadrës nga trajneri Shpëtim Duro, i cili zëvendësoi të dorëhequrin Hasan Lika. Ndryshime pati edhe në uniformat e të kuqve. Ndryshime pati edhe në rreshtimin e skuadrës në fushën e lojës. Ndryshime pati edhe në shkallët e stadiumit, pasi si rrallëherë tifozët e Partizanit nuk plotësonin numrin e parë treshifror. Por në këtë mori ndryshimesh nuk ndodhi ajo që e prisnin të gjithë, fitorja e parë sezonale në kryeqytet. Të kuqtë janë transformuar në çdolloj aspekti, pasi në nëntë javë kanë fituar një herë, kanë barazuar në dy takime dhe në gjashtë raste kanë shijuar humbjen. Në këto nëntë javë, përveç vendit të fundit, mbajnë edhe rekordin më negativ, pasi kanë shënuar vetëm 4 gola dhe kanë pësuar 11 tillë. Megjithëse trajneri Duro debutoi me humbje, gjithsesi shpresat janë se skuadra do ta gjejë reagimin e duhur. Trajneri Shpëtim Duro është i detyruar që deri në fund të dhjetorit të punojë me kontigjentin e futbollistëve që ka, pastaj mund të pretendohet që organika të pasurohet me elementë me peshë. Me shumë gjasa ky Partizan është i destinuar të presë "operacionin e dimrit", pasi vetëm merkatoja e janarit mund t'i balancojë situatat në skuadër.
Bici debuton me pikë, rrezikon Kovaçiç
Flamurtari me barazimin 0 0 që arriti në fushën e tij ndaj Bylisit ka vënë shumë pikëpyetje, pasi investimet e Bashkisë së Vlorës nuk përligjen nga ecuria e skuadrës. Tashmë janë shtuar mundësitë që trajneri kroat, Sllavko Kovaçiç, të hapë "krahun", pasi drejtuesit lokalë kërkojnë një tjetër Flamurtar. Nga ana tjetër, Bylisi i Hysen Dedjes vazhdon rrugën e tij dhe nga java në javë po grumbullon pikë, që mund të rezultojnë jetike në fund të sezonit. Dje, në stolin e Lushnjës ka debutuar trajneri Vasil Bici dhe lezhjani ka arritur të marrë pikën e parë. Takimi Lushnja Teuta, që përfundoi 1 1, mund të quhet rezultat i kënaqshëm për të dyja ekipet, megjithëse lushnjarët mund të kishin pretenduar më shumë, pasi shënuan të parët. Por Teuta e Sulejman Starovës edhe kësaj radhe di të marrë pikë, pavarësisht se luan në transfertë dhe tashmë durrsakët janë pozicionuar në mesin e artë të tabelës.
Java e 9-të
Dje
Tirana – Besa 1-1
Lushnja – Teuta 1-1
Të shtunë
Vllaznia – Elbasani 2-0
Partizani – Shkumbini 0-2
Apolonia – Dinamo 0-2
Flamurtari – Bylis 0-0
Renditja
1. Tirana 19 pikë
2. Dinamo 16
3. Besa 15
4. Shkumbini 15
5. Vllaznia 15
6. Teuta 13
7. Elbasani 12
8. Flamurtari 11
9. Bylis 10
10. Apolonia 8
11. Lushnja 7
12. Partizani 5
Kategoria e parë
Dje
Bilisht-Sport – Skrapari 2-1
Sopoti – Turbina 1-0
Të shtunë
Besëlidhja – Skënderbeu 4-1
Ada – Gramozi 0-0
Luftëtari – Kastriotit 2-1
Laçi – Dajti 1-0
Burreli – Tërbuni 2-0
Naftëtari – Pogradeci 2-1