E vërteta apo objektiviteti shkencor?
Media, në tërësi, duke qëndruar në pozita objektiviste, ka meritën e nxjerrjes në dritë të vërtetat e të vërtetës së tragjedive, pa të cilat qytetari mund të ishte në një tunel pa asnjë rreze drite. Por ndërsa media objektive dhe e pavarur lëshon “dritë” në tunel; në segmente të veçanta, sidomos media servile, duke pasqyruar fenomenin Gërdec, Otranto, Butrint; jo vetëm që ka deformuar të vërtetat, por çorodit edhe teleshikuesit. Kjo se të pranosh pasojën është gjëja më elementare, më mekanike; ndrësa të thellohesh në zinxhirin lëvizës shkak- pasojë është gjëja më e vështirë. Pse? Mendoni pak: në Gërdec ndodhi një tragjedi e vërtetë, gjë që nuk u mohua as nga politikanë me mentalitet “sejmeni”, as nga ndonjë gazete që kur e lexon të duket kodra mal i lartë. Mendimi që thellohet me tej kur dëgjon teorizime të tilla si: “është gabim njerëzor”, “nuk dija se ç‘bëhej atje”, “nuk dija se punonin fëmijë e të moshuar”….; në këtë rast përballet edhe me gnoseologjinë (njohjen) edhe me interesa të caktuara familjare, fisi e deri klan. Pse? Se tragjeditë në tërësi kanë në rrënjë interesa të kundërta deri antagoniste. Ato mund të vijnë edhe nga natyra edhe veprimtari të prira për fitim maksimal në një periudhë fare të shkurtër e jashtëligjore. Por edhe kur vijnë nga natyra, në segmente të veçanta të shkaqeve vepruese, shkencëtarë që merren me studimin e këtyre fenomeneve, lexojnë edhe gabime e faje njerëzore. Kështu me të drejtë ata e drejtojne vëmendjen te pylli e “rinia” e tij, te mbingarkesa e atmosferës me gaz karbonik, te “vdekja” e tokës, te prishja e ekuilibrit të shoqërimeve bimore…; që u hapin udhë tragjedive njerëzore. Kjo se pas një veprimi që bie ndesh me ligjet e natyrës, shpejt a vonë, do vijë edhe kundërveprimi . Ndaj me të drejtë është i shqetësuar njerëzimi; ndaj partitë ekologjike, partitë e gjelbra ,përveç asaj të Xhuvelit, janë me “peshë” sot në botë; ndaj me të drejtë ekologjistet tanë janë të shqetësuar për rrudhjen e hapësirave pyjore, për ndotjen e deteve, tokës madje edhe qiellit nga ajo pjesë e politikës agresive që shet gjithcka për të ruajtur karriget dhe për të shtuar kapitalet e veta. Por ndërsa në këto tragjedi shkencëtarët në zinxhirin shkakpasojë bëjnë përpjekje të qëmtojnë edhe vep- rimin e forcave të errëta të natyrës edhe gabimet e fajet njerëzore; në tragjeditë e tipit “Gërdec”, “Butrint”… ata përballen vetem me shkaqe të natyrës njerëzore, sidomos me fajet e politikës. Në këtë vështrim është e nevojshme të vëmë në lëvizje një aparat konceptual objektiv, larg çdo njëanshmërie e interesi të ngushtë vetiak, familjar, farefisnor e klanor. Dhe për të arritur te një analizë objektive kërkohet: Sa pavarësi institucionesh aq edhe profesionalizëm - Pse? Se njëanshmëritë, influencimet që i lindin interesat e ngushta e të çastit të largojnë nga objektivizmi e nga analizat objektive edhe për ngjarje drithëruese që alarmojne opinionin qytetar. Nga pozita të njëanshme e nga interesa të ngushta, ngjarjet e ndodhitë deformohen aq shumë saqë, kur janë të shtrira në përmasa hapsinore e kohore, bien ndesh edhe me interesa mbarkombëtare. Kështu kur analizon, p.sh., ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore nga pozitat e objektivizmit, orientohesh, domosdoshmërisht, nga dy kampet: antifashist e fashist, ashtu siç ndodh edhe sot me antiterrorizmin e terrorizmin. Dhe është një vlerë e paçmuar kombëtare që populli ynë ju kundërvu edhe fashizmit edhe terrorizmit. Ndaj të bësh përpjekje t’i japësh “vlera” asaj force apo atij personaliteti që iu bashkuan nazi-fashizmit, u je larguar me kilometra hapësirave të objektivizmit e të analizës shkencore. Kështu ndodh edhe kur analizon ngjarje, sidomos ato që marrin trajta tragjike e tronditin opinionin qytetar. Shtrëmbërimi i ngjarjeve të tilla, jo vetëm që të largon nga realiteti, por krijon kushte të vihet në lëvizje zinxhiri shkak-pasojë për të mundësuar tragjedi të tjera. Nuk po ndodh kështu? Otranto, Gërdec, Butrint…, megjithë veçoritë e veta, nuk janë në thelb e njëjta gjë? Vetë tragjeditë, veç të tjerash, i mëkon politika e vjetër, politika konfliktuale e një grushti njerëzish që bëjnë përpjekje të përqëndrojnë pushtetet në një, të pasurohen në një periudhë të shkurtër dhe të jashtëligjshme e të shohin me “dylbi” interesat qytetare. Ndaj ata s`kanë sy t`i lexojnë nevojat dhe interesat e atyre që, duke rrezikuar edhe jetën në dete, liqene e male, kërkojnë “parajsën” në vende të tjera e jo në tokën-mëmë. Ata s´kanë sy të “lexojne” që vitaliteti e aftësia e qytetarve tanë në shkencë, biznes, art, letersi, ekonomi … shfrytëzohen nga të tjerët e jo në dobi të qytetarve tanë. Ata s´kanë sy të “lexojnë” e veshë të “degjojnë” se në realitetin tonë ska më armiq artificialë “klasa e luftë klasash”, “armiq klasorë”, “imperialistë e social -imperialistë”…; por ka armiq të tjerë të rrezikshëm që kanë emrin varfëri, papunësi, analfabetizëm, nepotizmë, despotizmë, bariaktarizmë, patrialkalizmë… Ndaj këtyre armiqve realë mendoj se nuk bëhen në atë lartësi që kërkon koha analiza objektive e veprime të shpejta praktike e profesionale. E them këtë se të gjithë e pranojnë, p.sh., që tek ne ende nuk është kristalizuar shtresa e mesme, shtresa bazë që çimenton një shoqëri, por nuk ka analiza objektive e shkencore që meriton në shoqërinë tonë. Po kështu të vërtetat mbi papunësine, varfërinë, analfabetizmin megjithëse i pranojnë të gjithë; deri tani përveç asaj që po bën PS-ja e lideri i saj, duke kthyer fytyrën nga qytetari e duke bashkevepruar me të, analizat nuk janë në nivelin që kërkon koha. E meta e politikës së vjetër është se në analizat e saj i largohet objektivizmit e shkencës. E them këtë se objektivizmi, duke shtruar kërkesën që në analizat e ngjarjeve studiuesit të qëndrojnë larg njëanshmërive, interesave partiake…; nominohej i gabuar, ireal e antishkencor. Ndaj konceptet e mentalitetet antiobjektiviste që shfaqen në ditët tona nuk largohen aq lehtë. Ato kanë jetuar gjatë nëpër shekuj e hera-herës shfaqen me intensitet. Nuk po e shohim këtë në marrëdhëniet e pushteteve dhe institucioneve? Nuk po e shohim në marrëdhëniet e institucionit të Kryeministrit me intitucionin e Prokurorit të Përgjithsëm? Nuk po dëgjojmë vlerësimet dhe zhvlerësimet e liderit të pozitës për Prokurorinë e Përgjithshme që kërkon ta shohë nën hijen e personalitetit të tij? Nuk… Të gjitha vijnë, veç të tjerash, nga qeverisja dhe kemi qeverisje të mirë kur pushtetet e institucionet janë funksionale, të pavarura e profesionale.