"Reali vazhdon të kërkojë Ronaldon"
Sër Aleks Ferguson i ka hedhur sërish benzinë zjarrit të ndezur mes Mançester Junajtedit dhe Realit të Madridit, në lidhje me betejën për Kristiano Ronaldon. Fergusoni dhe Mançester Junajtedi deklaruan haptazi në verë se nuk i miratonin taktikat e klubit spanjoll për të bindur yllin e Mançesterit, Ronaldon, që të transferohej për në "Bernabeu". Madje, trajneri i Junajtedit beson se Reali i Madridit nuk e ka harruar Ronaldon dhe është ende në kërkim të tij. "Për të qenë i sinqertë, për marrëdhëniet me Realin nuk i jap as dy centë. Ne kemi lojtarin që na intereson. Ata nuk e kanë, por do të donin ta kishin. E tërë ajo që flitet ka të bëjë me atë se spanjollët nuk arritën të merrnin Kristianon, - tha trajneri i Mançesterit. - Kalderoni u premtoi shumë tifozëve mandrilenë se do ta merrte Ronaldon. Disa prej komenteve të tij janë qesharake, arrogante. Nuk bëhej fjalë aspak që Ronaldo të largohej. Ka mundësi se ata janë duke bërë qitjet e para për një tjetër tentativë për ta marrë Ronaldon. Ata do të përpiqen gjithnjë që ta marrin atë. Jemi gati, kemi mjaft municion. Unë jam duke përdorur vetëm një armë në këtë luftë."