E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti për KQZ-në, Ndoka: Berisha të tregojë dinjitet

Kryetari i PDK-së i paraprin përjashtimit të partisë së tij nga përbërja e re e KQZ-së

TIRANË- Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka kundërshtuar dje marrëveshjen mes PD-së dhe PS-së për përbërjen e re të KQZ-së. Edhe pse kjo formulë nuk është zyrtarizuar ende, demokristianët i kanë paraprirë faktit se ata nuk do të pranohen nga PD-ja për të përfaqësuar vendin bosh që i takon një partie të vogël nga e djathta, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes paraprake, kandidatura që do të propozohet nga partitë e vogla, për të qenë anëtare e KQZ-së, duhet të marrë pëlqimin paraprak të partisë më të madhe. Nisur nga kontradiktat e shumta mes PD-së dhe PDK-së për zhvillimet politike në vend, shanset që partia në pushtet të pranojë një kandidaturë të PDK-së, para një kandidature të propozuar nga PR-ja për postin e anëtarit të KQZ-së, janë shumë të pakta. “Shqipëria ka paguar një çmim të lartë politik dhe ekonomik për shkak të vjedhjeve të votave më 1996-n dhe çdo zgjedhje tjetër që është zhvilluar pas tyre. Ne jemi i vetmi vend në Europë që ende nuk kemi zhvilluar një proces elektoral të rregullt, të besueshëm dhe të pranueshëm nga institucionet ndërkombëtare dhe nga vetë faktori politik konkurrues”, - tha Ndoka. Ai tha se, PDK-ja, asnjëherë nuk do të pranojë skemat imponuese të saj për t’i caktuar kryetarin, për ta shkrirë duke ofruar ndonjë post në formë karameleje. “Zoti Berisha duhet ta dijë se ka ikur koha kur partia në pushtet, në të cilën ai ishte sekretar, emëronte edhe partitë konkurruese, edhe kandidatët, edhe komisionerët”, - u shpreh Ndoka. Kryetari i PDK-së kujtoi edhe njëherë se PDK-ja ka një marrëveshje politike me Partinë Demokratike, pjesë e së cilës është bashkëpunimi për fushatën e ardhshme elektorale. “Ne i kërkojmë publikisht asaj dhe zotit Berisha të dëshmojnë dinjitet. Asnjë presion me dosjet e Gërdecit apo Fazliçit, të mos e detyrojë atë të bëjë marrëveshje antidemokratike që vjedhin votën e shqiptarëve dhe çojnë në humbjen e të djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, - tha Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›