E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e fundit, Obama, 6 pikë më pranë Shtëpisë së Bardhë

Fushata për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon e ashpër. Ngushtësohet rezultati mes kandidatëve

SHBA- Kur vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kandidati demokrat për president Barak Obama dhe rivali i tij republikan, Xhon Mekein po e vazhdojnë fushatën në shtetet ku gara zhvillohet tepër e ngushtë, në shtetet më të rëndësishme për betejën presidenciale.

Senatori Obama ndodhet në Ohajo për të marrë pjesë në një numër aktivitetesh, ndërsa senatori Mekein po zhvillon garë në Pensilvani.Shteti i Ohajos dhe i Pensilvanisë së bashku kanë 15 për qind të 270 votave elektorale, të nevojshme për të siguruar fitoren e presidentit të ardhshëm. Anketimet kombëtare tregojnë se zoti Obama vazhdon të kryesojë garën, megjithëse gara në disa shtete kyçe po zhvillohet tepër e ngushtë.

Në një anketë të përbashkët mes agjencive “Rojters”, televizionit “C-Span” dhe organizatës së anketimeve “Zogby”, zoti Obama udhëheq me 6 për qind garën me zotin Mekein. Zoti Mekein ishte të shtunën i ftuar në komedinë televizive “Saturday Night Live”, ku ai bëri shaka në lidhje me fushatën e tij dhe mbi planin e tij më të fundit për të siguar sa më shumë vota. Ai po ashtu bëri shaka, duke thënë se mund të fillojë strategjinë e një rebeli të tërbuar, i cili bën çfarë t’i thonë njerëzit. Në takimet e mëparshme me zgjedhësit në Virxhinia dhe në Pensilvani, zoti Mekein premtoi se nuk do t’i rrisë më tej taksat, do të krijojë vende pune dhe do të fuqizojë ekonominë në recesion. Ndërsa zoti Obama, në takimet e tij në Nevada, Kolorado dhe Mizuri, po ashtu do të përqëndrohet tek ekonomia, duke u zotuar se do të ulë taksat për familjet e punonjësve dhe se do të përpiqet për ta kthyer ekonominë amerikane në periudhën e para recesionit. Anketimet tregojnë se gjendja aktuale e ekonomisë e ka ndihmuar zotin Obama të kryesojë garën me zotin Mekein. Shumica e të anketuarve besojnë se zoti Obama është më i aftë se rivali i tij përsa i përket trajtimit të gjendjes aktuale ekonomike.

“Bëhuni ambasadorët e mi”,-ka qenë thirrja e senatorit demokrat Barak Obama për votuesit amerikanë, kundrejt : “Dy ditë larg fitores” së senatorit republikan, Mekein. E ndërsa beteja presidenciale po arrin kulmin, Mekein nuk i ka humbur shpresat, edhe pse sonazhet nxjerrin kryesues demokratët. Gjatë fushatës së djeshme, Mekein shprehu sigurinë e tij se do të fitonte, duke u bërë thirrje votuesve për mbështetje, por edhe duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e amerikanëve nuk e kanë ndarë mendjen. E megjithëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës po numërojnë së prapthi, gara për Shtëpinë e Bardhë duket ende e hapur.

THIRRJA

“Lamtumira” e Bush: Votoni!

Presidenti Bush po u bën thirrje amerikanëve të shkojnë në votime ditën e martë. Në fjalimin e përjavshëm që mbajti në radio, zoti Bush tha se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara shërbejnë si model, sidomos për vende të reja demokratike, ose që janë në rrugën drejt demokracisë, si Gjeorgjia, Ukraina, Afganistani dhe Iraku.

Presidenti Bush tha se amerikanët kanë demonstruar se për dy shekuj një popull i lirë si ata, ka qenë i aftë për t’i zgjedhur vetë udhëheqësit e tij. Ai tha se Amerika ka arritur në këtë nivel zhvillimi në sajë të besimit që ka patur tek mençuria e popullit. Presidenti Bush i bëri gjithashtu thirrje votuesve të kujtojnë sakrificat që kanë bërë brezat e ushtarëve amerikanë për të mbrojtur vendin dhe arritjet e tij në vite. Fjalimi i “lamtumirës” së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Ë. Bush u mbajt tre ditë para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, zgjedhje këto që do të ndahen mes senatorit demokrat, Barak Obama dhe atij republikan, Xhon Mekein.

Xhon Mekein

Pensilvania

“Dua t’ua përsëris edhe njëherë, miqtë e mi: Ne do të fitojmë dhe ne do të sjellim ndryshim real në Ëashington. Me ndihmën tuaj, ne mund të fitojmë. Ne na duhet një drejtim i ri dhe ne do të luftojmë për të. Dy ditë, dy ditë nga fitorja”

50%

Sipas CNN, senatori demokrat, Barak Obama kryeson në sondazhe me 6 pikë mbi senatorin republikan, Xhon Mekein, dy ditë para zgjedhjeve.

44%

Senatori republikan, Obama merr 44 % të votave, sipas sondazhit të publikuar nga CNN. Megjithatë, ai favorizohet tek ata amerikanë të pavendosur

BARAK OMABA

Misuri

“Bëhuni ambasadorët e mi dhe mbyllni marrëveshjen. Nuk mund të përballojmë mbetjen mbrapa. Jo tani, që ka kaq shumë gjëra në lojë”,-u ka thënë senatori Obama votuesve, gjatë një fjalimi të mbajtur dje në Misuri.

Profil i kandidates republikane për zv.presidente, e cila po kandidon përkrah senatorit Mekein

Sara Pejlin, shkëlqimi dhe rënia e miss Alaskës

SHBA- Disa analistë thonë se emërimi i saj ka gjallëruar Partinë Republikane, e të tjerë thonë se ajo është bërë pengesë edhe më e madhe për ambiciet presidenciale të senatorit Xhon Mekein sesa presidenti Bush. Por cila është Sara Pejlin? Përgjigjia varet nga fakti se me cilën pjesë të elektoratit identifikohesh.   Cilado qoftë përgjigjia, guvernatorja 44- vjeçare nga Alaska ka krijuar tashmë imazhin e një figure të re të konservatorizmit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shpeshherë e debatueshme. Që kur u shfaq në skenën politike kombëtare, guvernatorja e Alaskës, Sara Pejlin ka elektrizuar shumë njerëz dhe ka ngjallur frymëzimin e mijëra përkrahësve. Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i saj, ajo këmbëngul se është si çdo njeri tjetër. "Prindërit e mi punuan të dy në një shkollë fillore dhe si burri im dhe unë u rritëm duke punuar. Unë isha thjesht një mama që çonte djalin e saj në lojrat e hokejit", - thotë ajo

Por ata që e njohin thonë se ajo shumë më tepër se kaq. Në shkollë të mesme ajo ishte një basketbolliste e shkëlqyer dhe ambicioze. Përpara se t’i futej politikës, ajo u bë një pronare e një biznesi peshkimi dhe një reportere televizioni. Dhe sipas babait të saj, ajo arrinte çdo gjë që vinte si synim:"Ajo kishte kokë më vete dhe nëse thoshte që kishte të drejtë dhe zakonisht ajo kishte të drejtë, kështu do bëhej". Ajo u ngrit në detyrë nga anëtare e këshillit të qytetit në kryebashkiake e një qyteti të vogël dhe më pak se dy vjet më parë ajo u bë guvernatore e Alaskës. Guvernatorja Pejlin pëlqehet shumë në shtetin e saj ku gëzon popullaritet të madh prej rreth 80%.“Me 18 milionë votat e Hillarisë, gratë iu afruan fare pranë postitmë të lartë, por mesa duket ato nuk do të ndalen këtu dhe ne mund ta shembim këtë pengesë një herë e përgjithmonë”,- tha ajo, pak pasi kandidoi për zv.presidente të SHBA-ve.

Megjithëse shumë në partinë e saj shpresonin se emërimi i zonjës Pejlin do të bënte për vete përkrahësit e zonjës Klinton, disa thonë se kjo lloj përllogaritje ka dështuar.Demokratët thonë se zonja Pejlin është kundër çështjeve që kanë rëndësi për gratë. Ajo është kundër abortit, beson në krijimin e botës sipas Biblës dhe mbështet me forcë të drejtat për armëmbajtje.Pas javësh të tëra një ndjekjeje nga afër të veprimtarisë së saj dhe disa intervistash që e nxorrën atë nën një dritë jo shumë pozitive, shkëlqimi i saj filloi të zbehej. Anketat e fundit tregojnë se më shumë amerikanë nuk kanë një pikëpamje të favorshme për të. 55 për qind e votuesve thonë se ajo nuk është e kualifikuar për të qenë nën/presidente. Rënia e saj në sondazhe ndodhi njëkohësisht me distancimin prej saj nga disa figura me peshë në partinë e saj. Një prej tyre është ish- sekretari i Shtetit,Kolin Pauell, që mbështeti kandidatin demokrat për president Obama dhe atë për nënpresident Bajden. “Ajo është një grua që duhet admiruar. Por në të njëjtën kohë, pas shtatë javësh që kemi pasur rastin të ndjekim qëndrimin e saj, unë nuk besoj se ajo do të ishte gati të bëhej presidente e Shteteve të Bashkuara, gjë që duhet ta ketë një nënpresident”. - thotë zoti Pauell. Disa republikanë thonë se zonja Pejlin po tërheq vëmendjen nga gjërat e rëndësishme, si për shembull kur u mor vesh se Komiteti Kombëtar Republikan kishte shpenzuar 150 mijë dollarë për veshje për të dhe familjen e saj.

Megjithatë, Xhon Mekein thotë se ajo është gati. Profil i kandidatit për zv.president, Xho Bajden dhe mbështetja që ai i jep Barak Obamës

Xho Bajden, përvoja e “gjallë” përkrah Obamës

SHBA- Në përzgjedhjen e Xho Bajden si kandidati demokrat për nënpresident, zoti Obama pati parasysh përvojën e tij të gjatë në politikën e jashtme dhe në çështje të tjera. Ekspertët thonë se gjithashtu origjina nga klasa punëtore e senatorit Bajden, po ashtu e ka ndihmuar senatorin Obama të bënte për vete grupe kyçe votuesish demokratë. Aftësitë personale dhe politike të Xho Bajdenit, prirja e tij për të folur hapur, që doli në pah gjatë fushatës, por edhe në debatin mes dy kandidatëve për nënpresident, kanë qenë të rëndësishme për të zgjeruar mbështetjen e senatorit Obama tek një pjesë e madhe e elektoratit. Kur Xho Bajdeni u përzgjodh si kandidat për nënpresident në gusht, ai solli me vete përvojën e tij të gjatë si senator në fushatën e senatorit Barak Obama. Analistët politikë thonë se kandidati Obama ka pasur disa arsye strategjike për zgjedhjen e zotit Biden.

Profesori Robert Dudlei nga Universiteti Xhorxh Mason në Virxhinia thotë se senatori Bajden mund t’i bëjë ballë një pike të fortë që e ka kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, senatori Mekein.

“Zoti Bajden i sjell kandidaturës demokrate përvojë në politikën e jashtme të të njëjtit niveli me atë të zotit McCain”. Zoti Bajden është kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të senatit amerikan dhe ka shkuar gjatë viteve të tij si senator në zona koflikti, përfshirë Irakun dhe Gjeorgjinë. Analistët thonë se një arsye tjetër me rëndësi për zgjedhjen e zotit Biden ishte për të siguruar votat në shtetet kyçe verilindore si Pensilvania dhe Ohajo. Zoti Obama u mund nga senatorja Hillari Klinton. Profesori Alan Lihtman i Universitetit Amerikan. “Ai është një demokrat me origjinë të thjeshtë dhe kjo është tërheqëse për votuesit e bardhë të shtresës punëtore”. Xho Bajden ka përfaqësuar shtetit e Dellauerit për 36 vjet. Përveç përvojës së tij në politikën e jashtme, ai ka shërbyer edhe si kryetar dhe anëtar i lartë i Komisionit Gjyqësor i cili voton kandidatët për në Gjykatën e Lartë.

Zoti Bajden është 65 vjeç dhe lindi në një qytet punëtorësh në Pensilvani. Ai ishte vetëm 29 vjeç kur u zgjodh për herë të parë në senat në vitin 1972. Pak pas zgjedhjes në senat një aksident me makinë i shkatërroi jetën private. "Kur gruaja dhe vajza ime vdiqën në aksident, u ktheva në shtëpi nga spitali me dy djemtë që ishin plagosur keqazi. Motra ime dhe bashkëshorti i saj, pa më pyetur, lanë shtëpinë e tyre dhe erdhën të jetonin me mua të më ndihmonin të rrisja fëmijët e mi" - tha ai. Zoti Bajden u martua me gruan e dytë Xhill, një profesore kolegji rreth 20 vjet më parë.Ai tentoi për herë të parë për të fituar emërimin si kandidat demokrat për president në vitin 1988. Fushata e tij u ndërpre kur një prej fjalimeve të tij u mendua të ishte kopjuar nga një deputet britanik. Që prej asaj kohe, zoti Biden u përqendrua në punën e tij në senat deri në vitin e kaluar kur i hyri edhe një herë garës presidenciale. “Po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme. Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Populli amerikan është gati. Unë jam gati, Barak Obama është gati. Është koha jonë, koha e Amerikës”-tha ai në një prej fjalimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›