Mësuesja më ka inat
Qasje gjithmonë e më e vështirë. Mësuesit ankohen se nxënësit ushtrojnë dhunë karshi tyre dhe po kthehen në zotër të klasës, kurse këta të fundit se mësuesit i shikojnë me inat. Dhuna në shkolla, roli i prindit gjithmonë e më pak i ndjeshëm në vendosjen e balancave.
Në fillim raporti midis tyre ishte mëse i vështirë. Askush nuk e dëgjonte. Ajo ishte një mësuese e sapoardhur nga auditorët. Brune! Simpatike! E ndrojtur! Si çdo mësuese të re, nxënësit nuk e merrnin seriozisht. Kërkonin ta vinin në çdo moment të orës së mësimit në lojë. Kulmi arriti një ditë kur, në karrige, i vendosën një çëmçakez. Ata pritën që ajo të nervozohej, të bërtiste, të nxirrte gjysmën e klasës jashtë nga ora e mësimit. Nuk ndodhi kështu. Me qetësinë më të madhe ajo i falenderoi për xhestin dhe vazhdoi normalisht mësimin. E gjithë klasa e shoqëroi e habitur me sy. Mësuesja në fjalë, emrin e së cilës për arsye etike nuk po e bëjmë publik, sot konsiderohet nga më të respektuarat në shkollën ku ajo jep mësim. Nxënësit nuk guxojnë më të pipëtijnë e jo më të prishin orën e mësimit kur ajo shpjegon. Suksesi qëndron në faktin se ajo u mundua të shmangë dhunën verbale si formë represive komunikimi dhe të zgjedhë durimin si mjetin më të mirë për të vendosur autoritetin që i takon si mësues në klasë. Nëse do të hidhnim sytë shumë vite më parë, sot, raporti mësues-nxënës ka ndryshuar kryekëput në favor të këtyre të fundit. Një mësues në ditët e sotme e ka shumë më të vështirë të komandojë një nxënës në orë të mësimit. Ky raport delikat është si në ciklin e ulët shkollor 9-vjeçar, ashtu edhe të mesëm. Mësuesit ankohen se fëmijët janë të llastuar. Në të shumtën e rasteve u mungon edukata familjare. Arrijnë deri aty sa të ofendojnë pa gjë të keq mësuesin në sy të klasës. Një rol negativ në krijimin e marrëdhënieve të ndera mësues-nxënës kanë edhe prindërit. Për fëmijën, edhe kur nuk ka të drejtë, shumë prej tyre e kërkojnë gabimin te mësuesit. “Unë jap mësim prej 30 vitesh në ciklin e ulët fillor. Vite më parë është e vërtetë që, për gabime që kryenin në orën e mësimit, ne detyroheshim t’i ndërshkonim nxënësit. Sot kjo gjë as që mund të bëhet. Ne jo vetëm që nuk mund të godasim nxënësit, kjo pasi është e ndaluar në rregulloren e brendshme të shkollës, por as nuk mund t’u bërtasim, pasi menjëherë do të ndeshemi me reagimin e ashpër të prindërve”, - thotë mësuese Moza. Jo më larg se një vit më parë, në një shkollat e mesme të Tiranës, ngjau një episod aspak i pëlqyeshëm që u komentua gjatë, si në qarqet mediatike, ashtu edhe në ambientet shkollore. Dy nxënës në orën e mësimit filmuan poshtë fustanit të mësueses së lëndës, ndërsa kjo e fundit konsultohej me njërin nga nxënësit. Videoja, e cila më pas u bë prezente edhe në media, shkaktoi indinjatën e mësuesve të tjerë, të cilët e cilësuan këtë akt të pamoralshëm si një xhest rrugaçëror, i cili binte ndesh me normat edukative që kërkon të transmetojë shkolla. Megjithë indinjatën e shprehur, për nxënësit në fjalë nuk u mor asnjë masë ndërshkuese, përveçse një paralajmërimi për përjashtim nga shkolla, nëse veprimi do të përsëritej. Raste të tilla të ngjashme në shkollat tona ka me dhjetëra. Shpeshherë është diskutuar në parim për ndryshimin e rregullores së brendshme të shkollave dhe ashpërsimin e saj në rastet kur evidentohen shkelje të rënda që cënojnë integritetin e orës së mësimit. “Me ne mësuesit e vjetër dhe sidomos në lëndët ekzakte nxënësit e kanë më të vështirë të reagojnë negativisht. Janë shumë faktorë që ndikojnë. Ka të bëjë autoriteti ynë. Është vetë lënda e tillë, e cila e bën të stepet. Unë si mësuese, le të themi me një eksperiencë të gjatë pedagogjike, kam përjetuar vetë situata të tilla kur jam ofenduar nga nxënësit, qofshin djem qofshin vajza”, - rrëfen mësuese Vera në shkollën e mesme “Eqrem Çabej”. Situata të tilla aspak të këndshme i kanë vënë para përgjegjësisë morale edhe drejtuesit e shkollave. Nëse do të ktheheshim pas në kohë, veprime të cilësuara të ulëta nga ana e nxënësve, mund të meritonin edhe përjashtimin nga shkolla, madje edhe kalimin e nxënësve për riedukim në shkolla të posaçme. Kjo kohë është tashmë e harruar. Vetë drejtuesit e shkollave përpiqen të jenë menaxhues të konflikteve që ngrejnë herë pas here krye midis nxënësve dhe mësuesve, duke tentuar, në një formë ose tjetrën, zbutjen e tensioneve dhe jo kalimin në zgjidhjen e problemeve nëpërmejt masave ekstreme.
Raporti, 50% e nxënësve ndjehen të dhunuar
Nuk janë vetëm nxënësit ata që transmetojnë dhunë në orën e mësimit, por edhe mësues që e kanë të vështirë të shkëputen nga metodat tradicionale, aspak humane, të edukimit. Nuk dihet se sa e saktë është kjo shifër, por një vit më parë, Fondacioni “Mbro Fëmijët”, paraqiti shifra alarmante mbi dhunën që mësuesit ushtrojnë ndaj nxënësve. Sipas anketimit të bërë nga ky fondacion, rreth 50 për qind e fëmijëve pranuan se mbi ta ushtrohej sistematikisht dhunë, si fizike, ashtu edhe psikologjike. Më alarmante situata u paraqit në zonat rurale. Arsyeja e dhunës së mësuesve karshi nxënësve ishte mosbindja e këtyre të fundit në orën e mësimit ose moskryerja e detyrave të lëna në ngarkim. Të njëjta shifra, po gjatë vitit të kaluar, u paraqitën edhe nga UNICEF-i. Më e shpeshtë ndër llojet e dhunave të përdoruara është ajo psikologjike. Në raportin “Dhuna ndaj fëmijëve në shkollë”, publikuar nga fondacioni “Save the children” (Mbroni fëmijët), citohet se mësuesit nuk ngurrojnë të godasin fëmijët, me të gjitha mënyrat. “Më e shpeshtë është dhuna psikologjike, që nis me fyerje, të bërtitura, vlerësim me nota të ulëta dhe detyrim i nxënësit të qëndrojë në klasë pas mësimit. Ndërsa, kur mësuesi përballet me rezistencën e nxënësit, ndaj tij ushtrohet dhunë fizike, që fillon me shkulje flokësh, veshësh, goditje me shpullë, madje edhe me grusht, shkelma e deri në sende të forta. Madje, kjo e fundit, duket se është edhe forma më e përhapur e dhunës, ku 38.2 për qinde nxënësve pohojnë se e kanë provuar, së paku një herë, goditjen me sende të forta në trup”. Më të ndërshkuarit nga mësuesit janë djemtë, ndërsa vajzat më të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale.
Dhuna si mjet edukimiProblemet që lindin në klasë midis nxënësve dhe mësueseve apo qoftë edhe vetë midis nxënësve janë me karakter të fuqishëm emocional, por edhe familjar. Psikologët shpjegojnë se në rastet më të shumta grindjet vijnë si pasojë e tensioneve të akumuluara jashtë dyerve të shkollës dhe gjejnë pikë shpërthimi në orën e mësimit. Por, një faktor, le të themi negativ, në ngjizjen e situatave të tilla janë edhe vetë mësuesit, të cilët me mungesën e tyre të taktit krijojnë tension te nxënës të ndryshëm. Ulja e notës, një batutë e thënë keq janë episode, në dukje të vogla, që mund të ndikojnë në personalitetin e nxënësit, i cili gjen terren për të reaguar.