Balla: Lehtësimi i vizave, qeveria dështoi
Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Sali Berisha që të marrë menjëherë në shqyrtim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Deputeti Taulant Balla tha se duhet informuar edhe Kuvendi i Shqipërisë, qoftë për kushtet e përcaktuara në udhërrëfyes, ashtu edhe për masat që duhen ndërmarrë. "Më lejoni të ripërsëris gjithashtu, gatishmërinë tonë për të kontribuar në hartimin e një plani kombëtar veprimi, për përmbushjen e standardeve dhe të një mekanizimi për raportimin e progresit në përmbushjen e detyrimeve", vlerësoi Balla. Ai iu referua deklaratës së zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i cili u shpreh se dita e liberalizimit të plotë të vizave me Shqipërinë është ende shumë larg dhe se vendimi për liberalizimin nuk do të merret as në vitin 2009. "Do të kishte qenë marrje përgjegjësie, por edhe detyrim institucional dhe moral i Ministrisë sonë të Jashtme, që pas kësaj deklarate të ishin shprehur publikisht dhe të pranonin kritikën", vlerësoi deputeti Balla. Ai sqaroi se udhërrëfyesi për lehtësimin i është dorëzuar ministrit Lulzim Basha, më datë 3 qershor 2008. PS thotë se kanë kaluar gati katër muaj që nga dorëzimi i këtij udhërrëfyesi dhe ende ky dokument është peng i sirtarëve të zyrës së mbyllur të ministrit Basha.