E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jo më imunitet për prokurorët

Kryeministri Berisha paralajmëron heqjen e imunitetit të gjykatësve dhe prokurorëve. Në shënjestër të deklaratës së shefit të qeverisë është edhe imuniteti i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Shembja e murit që mbron nga hetimi dhe prangat e drejtësisë deputetët, prokurorët, gjykatësit dhe drejtuesit e institucioneve të tjera të pavarura, duket se ka çuar Kryeministrin në gjetjen e gjuhës së përbashkët për sigurimin e votave të mjaftueshme në Kuvend për të miratuar këtë kërkesë të Berishës. Në konferencën për shtyp, Berisha u shpreh se ka gjetur strategjinë e duhur për të votuar ligjin që çliron zyrtarët nga imuniteti. "Të shembet muri i imunitetit. Ka shenja pozitive. Unë jam optimist se një ujdi është e mundshme për shembjen e këtij muri", theksoi Berisha. Duke vlerësuar arritjet e bëra deri tani në betejën antikorrupsion, Kryeministri kërkoi që kjo betejë të thellohet më tej. "Prokurori nuk dënohet kur abuzon me detyrën, zëvendësministri im pa hekurat dhe qelitë. Unë do kërkoj një ujdi të gjerë politike për këtë", u shpreh Kryeministri. Sipas tij, është e dhimbshme që, drejtuesit e këtyre institucioneve nuk kanë gjetur forcën morale për të vendosur para ligjit asnjë gjykatës dhe prokuror. "Beteja është betejë. Ata do të zhgënjehen, se s‘mund të përdorin pavarësinë për të mbrojtur korrupsionin", tha ai. Sipas Berishës, "në bankën e të akuzuarit nuk e ka ulur prapanicën asnjë gjykatës dhe prokuror, edhe kur kanë falsifikuar dosje dhe kanë liruar trafikantët e drogës, kjo është e papranueshme". Berisha sqaroi gjatë fjalës së tij se lufta kundër këtij kanceri ka rëndësi edhe nga të gjitha institucionet e këtij vendi. Ai theksoi se askush nuk mund ta përdorë atë si mburojë për të mos luftuar korrupsionin. "Janë ndëshkuar për korrupsion qindra zyrtarë, deri aty sa janë ndëshkuar edhe zëvendësministra. Por sot, nuk ka një prokuror që të jetë para ligjit. Ndonëse ky vend ka një mal akuzash", tha ai.

Kreu i ekzekutivit bëri me dije se nuk ka qytetarë apo raport ndërkombëtar që të deklarojë se në gjykata dhe prokurori nuk ka korrupsion. "Nuk njoh raport ndërkombëtar që kjo të mos jetë stigmatizuar me forcën më të madhe", tha ai. Sipas Berishës, nuk janë vetëm gjykatësit dhe prokurorët, por janë edhe institucionet e tjera që nuk kanë qenë në gjendje të ndëshkojnë korrupsionin te punonjësit e tyre. "Kjo situatë nuk do të pranohet. Berishën e votuan për reforma dhe ato do bëhen. Institucionet e këtij vendi, të varura dhe të pavarura, të dalin në dritën e diellit se ky është detyrimi madhor që kemi ne sot ndaj qytetarit shqiptar", tha ai. Duke u kthyer pas në kohë, Berisha bëri me dije se pas betejës për shembjen e komunizmit, lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet beteja e jetës së tij. "Lufta kundër piramidës komuniste ishte luftë për dinjitetin tonë njerëzor. Këtë unë e kam besuar dhe ia kam përsëritur vetes qindra herë derisa u bëmë të lirë, por në vetëdijen time më të thellë unë jam i bindur se, pas tiranisë, asgjë nuk dhunon të drejtën se sa korrupsioni", u shpreh Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›