Rama: Shqiptarët po blejnë ende me lista
Rruga e ideve për të ardhmen, për çështjen e arsimimit, u diskutua së fundi në qytetin e Korçës. Kryetari i opozitës, Edi Rama, u shpreh se nga të dhënat e regjistruara në mbarë vendin, në "Dialogun me Shqipërinë", 70% e atyre që jetojnë në fshat e kanë thuajse të pamundur të përballojnë blerjen e teksteve shkollore. Gjatë këtij bashkëbisedimi, për të identifikuar zgjidhjet, kryesocialisti u shpreh besimplotë se PS do të ndryshojë realitetin në arsim. "Synojmë që të gjitha ato që kemi dëgjuar, kemi mbledhur, kemi analizuar dhe krahasuar, t‘i sintetizojmë në ide konkrete dhe kështu të formësojmë alternativën tonë të re për arsimin në Shqipëri", u shpreh Rama në takim me të pranishmit. "Ne jemi të vetëdijshëm që vota që njerëzit do të na japin vitin e ardhshëm, do të jetë në radhë të parë, vota për të ardhmen e fëmijëve të tyre", tha Rama. Sipas tij, nuk mund të ketë një të ardhme të sigurt për fëmijët e atdheut tonë, në rast se ne nuk i japim një të ardhme sektorit të arsimit dhe në rast se ne nuk përmirësojmë rrënjësisht cilësinë e edukimit në Shqipëri. "Kjo sigurisht që është sfidë madhore, por ne jemi besimplotë se do ta përballojmë me sukses dhe se do të arrijmë t‘i japim përgjigjen e duhur shumë pikëpyetjeve që ndodhin përditë", premtoi Rama. Kreu i selisë rozë u ndal te problemi i braktisjes së shkollës brenda një viti shkollor. "Nuk e braktisin shkollën sepse papritur nuk janë më arsimdashës, por e braktisin shkollën sepse nuk janë në gjendje ta përballojnë ekonomikisht atë në radhë të parë", sqaroi Rama. Ai kujtoi se Sali Berisha kur doli dhe kërkoi votën e shqiptarëve në vitin 2005, u shfaq në dyert e dyqaneve dhe u tregonte listat e ushqimeve. "Sot, jo vetëm listat e ushqimeve janë zgjatur, por në dyqane janë edhe listat e fletoreve dhe teksteve shkollore, borxhet e prindërve ndaj atyre që i tregtojnë këto fletore e këto tekste, në pamundësi për të paguar aty për aty instrumentin më fillestar dhe më elementar të arsimimit të fëmijës, tekstin dhe fletoren, lapsin dhe stilolapsin", insistoi Rama. PS konstaton se jemi në kushtet kur 70% e nxënësve që jetojnë në fshat, sipas të dhënave, nuk e kanë të mundur t‘i blejnë librat. "Të mos harrojmë që kjo paketë tekstesh në qytet përbën 1/5 e buxhetit të një familjeje me të ardhura mesatare. Jemi në një moment dramatik për arsimimin dhe edukimin në Shqipëri", theksoi Rama. Në këtë moment, shtoi ai, na duhet t‘i identifikojmë së bashku zgjidhjet, në mënyrë që nesër ne të mos ta marrim votën e shqiptarëve duke bërë premtime të pambajtshme. Duke sulmuar mazhorancën, Rama tha se gjatë këtyre viteve nuk kanë qeverisur interesat e vendit dhe të njerëzve, por kanë qeverisur interesat e ngushta klanore dhe personale, të lidhura me pushtetin.